Ashtu si një vit më parë, Interi ka vendosur të tentojë të blejë Raxha Naingolanin nga Roma. Është belgu fiksimi i Luçiano Spaletit, i cili e njeh mirë mesfushorin dhe e sheh si lojtar kyç për skemat e tij, në një mesfushë mes 5 lojtarë, por me 3 të tillë pas sulmuesit kryesor.
“Ninja” do ishte mesfushori ofensiv i cili do lëvizte në gjithë fushën dhe do të bënte edhe sulmuesin e shtuar në fazën sulmuese. Kjo kërkesë e Spaletit ka bërë që Interi të nisë punën, duke marrë shkas edhe nga një bisedë mes drejtorit sportiv të Interit Piero Auzilio dhe një prej agjentëve të Naingolanit, Alesandro Beltrami.
Naingolan ka dhënë OK për transferimin, Roma tashmë nuk e konsideron të paprekshëm dhe thjesht pret ofertën e duhur, ndaj në korrik e tutje pritet të mbyllet gjithçka. Fillimisht Interi duhet të mbyllë qershorin me bilanc pozitiv, duke shituar një ose disa lojtarë, për të kënaqur kërkesat e UEFA-s për Fair-Play financiar.