Pasi është zbardhur kalendari dhe rruga e Serisë A 2018-2019 për shpalljen kampion dhe objektivat e tjerë dytësorë, tretësorë dhe ato të mbijetesës, ka folur Luçiano Spaleti, trajneri i Interit, që do të ketë të bëjë ndaj Sasuolos së presidentit Skuinci, tifoz “i thekur” me Milanin.
Pikërisht skuadra e Emilia Romanjës ka qenë protagoniste vjet, duke e mundur në dy ndeshje Interin, teksa në fund i rrezikoi Champions me atë që sot është lojtar zikaltër, pra Politanon.
“Mendoj se fillimi i kampionatit fsheh pengesa, sepse ende nuk njihen forcat reale të skuadrave. Mesa pashë, kemi me Sasuolon sfidën e parë dhe duhet ta fitojmë me çdo kusht, për të mos vënë në vështirësi presidentin Skuinci, që ka thënë se nuk ka më vend në muret e zyrës së tij për të ngjitur faqet e para të gazetave në rast fitore, pasi këto vitet e fundit ka ndodhur shumë herë. Ka shumë, ndaj më mirë t’ia heqim këtë mundësi”.