Interi nuk ndalet, fitorja e gjashtë me radhë në shenjën e Ikardit

Interi shkon në festë në pushimet e pauzës së ndeshjeve ndërkombëtare. Zikaltërit regjistruan fitoren e gjashtë me radhë mes kampionatit dhe Champions, pasi kaluan me sukses 2-1 testin në fushën e Spal, në sfidën e javës së tetë të Serisë A italiane.

Një duel me ritëm të jashtëzakonshëm ajo e luajtur në “Ferrara” edhe për meritë të vendasve, të cilët nuk u dorëzuan edhe pse e panë veten në disavantazh prej minutës së 14-të, pas golit mjaft të bukur të Ikardit. Ai episod bëri që Spal të hidhej fuqishëm në sulm, duke krijuar raste të shumta.

Momenti më i mirë erdhi në minutën e 18-të, kur Antenucci gaboi nga pika e penalltisë, por ekipi i shtëpisë, i mbështetur edhe nga publiku provoi me të gjitha mënyrat, edhe sepse pas startit mjaft të mirë të kampionatit, me 3 fitore në 4 javët e para, ata nuk kishin marrë pikë në tre ndeshjet e fundit.

Dëshira dhe entuziazmi u shpërblyen, me Spal që barazoi shifrat në minutën e 72-të me Alberto Paloskin, i cili gjeti golin vetëm gjashtë minuta pas aktivizimit nga stoli. Lojtari i formuar në akademinë e Milanit, ndëshkoi zikaltërit, ashtu si edhe sezonin e kaluar, duke bërë që ekipi i Spaletit të pësonte golin e parë në trasfertë.

Por, në minutën e 78-të ishte sërish Mauro Ikardi, ai që nxorri Interin nga situata e vështirë. Kapiteni përfitoi nga vendosja e gabuar e mbrojtjes kundërshtare dhe e dërgoi në rrjetë topin e marrë pas asistit të Perishicc. Tre pikë të tjera për zikaltërit, që ngjiten në vendin e tretë në renditje, vetëm 2 pikë larg Napolit dhe tashmë mund të bëjnë pak pushim të merituar, pas turit të forcës të kaluar me sukses.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *