Kumbulla është padyshim surpriza e këtij sezoni të Serie A, së bashku me skuadrën e Veronës. Shumë ekipe të mëdha i janë vënë pas lojtarit shqiptar, mes tyre edhe Interi, megjithëse deri tani Lazio ka hedhur një hap më tepër në merkato për mbrojtësin. I pyetur në studion e “Sky Sport 24” nëse Marash Kumbulla vlen për një ekip të madh, një ish-lojtar i Veronës dhe Interit, Luciano Marangon, ka thënë se një gjë e tillë vështirë të thuhet me siguri. Sipas tij në disa raste futbollistët japin më të mirën në kontekste të caktuara dhe nëse i dërgon në një ekip të madh ndodh që të zhduken.
“Gjithmonë është e vështirë të thuash sepse ndonjëherë lojtarët japin më të mirën në kontekste të caktuara, në një lloj loje, në qytete të caktuara. Pastaj ju i nxirrni nga atje, i vendosni në një ekip të madh dhe ata zhduken. Gjithmonë është e vështirë të thuash më parë, ata janë të gjithë të rinj interesantë. Nëse ata kanë sytë e ekipeve të mëdha nga pas, kjo do të thotë se kanë cilësi për të qenë në gjendje të luajnë në nivele të caktuara”, është shprehur Marangon./Halit Delibashi-Sport Ekspres/