Sezoni i shkëlqyer i Milot Rashicës me Verder Bremenin ka filluar të bëjë të vetën. Klube të rëndësishme po mbikëqyrin lojtarin e përfaqësueses së Kosovës dhe dita ditës po dalin emrat e parë.
Media e njohur sportive “Sport Bild” raporton se 22-vjeçari është një ndër kandidatët që po shqyrtohen nga drejtuesit e RB Lajpcigut për të zevëndësuar gjermanin Timo Verner, i cili me shumë gjasa do të largohet drejt Bajernit të Mynihut gjatë merkatos së kësaj vere.
Te Verder Bremen nuk janë aspak të nxituar. Kontrata aktuale e Rashicës mbaron në vitin 2022. Klubi nga veriu i Gjermanisë pagoi 7 milionë euro për kartonin e tij nga holandezët e Viteses në janar të 2018-ës. Muajt e parë ishin tepër të vështirë, por durimi u shpërblye dhe tani Rashica është kthyer në lojtarin më premtues të skuadrës.