Në Gjeorgji e morën me tallje përballjen e Torpedo Kutais ndaj Kukësit. Sipas gjeorgjianëve, ata do të luajnë përballë një kundërshtari që “ka gjuajtur vetëm një herë në portë në katër ndeshje”. Edhe pse dikujt mund të mos i pëlqejë, evidentimi është i drejtë.
Gjatë aventurës në Champions League, Kukësi ka vuajtur shumë në fazën sulmuese. Këtë e ka pranuar edhe trajneri Armando Cungu, i cili përpos kritikave për skuadrën, jep edhe recetën për të ndryshuar.
“Duhet të marrim paksa më tepër iniciativë. Jo se e nënvlerësojmë kundërshtarin, përkundrazi ata janë një ekip shumë i fort dhe i rrezikshëm. Në fund të fundit, duhet ta provojmë. Është e pamundur të vazhdohet me këtë rritëm dhe këtë mënyrë loje, pa patur fuqi të dalim përpara”, deklaroi Cungu për televizionin “Klan”.
Trajneri e vlerëson duelin e turit të tretë të Europa League edhe si test përpara fillimit të kampionatit të ri. “Torpedo nuk është vetëm një test për Europën, por edhe për vazhdimësinë e kampionatit. Edicioni i ri starton për dy javë dhe dua të kem ide të qarta dhe përfundimtare, për sa i takon lojtarëve në dispozicion”, përfundoi trajneri shkodran.