Real Mursia është krijuar në vitin 1919 dhe është një nga klubet më të vjetra të Spanjës. Për herë të fundit në La Liga ka luajtur në sezonin 2007-2008, ndërsa tashmë konkurron në divizionin e tretë të futbollit iberik.
Mursia po kalon një periudhë të vështirë financiare dhe nevojiten 18 milionë euro për të shpëtuar nga falimentimi. Drejtuesit nuk dorëzohen dhe kanë marrë një iniciativë shumë interesante.
Klubi ka nxjerrë në shitje 150 milionë aksione, me një çmim shumë të lirë. Paketa më e vogël përfshin blerjen e 10 aksioneve me një çmim prej 1 euro e 20 cent. Regjistrimi mund të bëhet në faqen zyrtare të klubit, duke u bërë kështu aksioner i Mursias. Një gjë të tillë mund të bëjë çdokush dhe klubi kërkon ndihmën e tifozëve për të dalë nga kriza.
Blerja e të paktën 390 aksioneve të jep të drejtën për të marrë pjesë fizikisht në Asamblenë e Anëtarëve të klubit. Një gjë e tillë po jep fryt dhe tifozë të ndryshëm, por jo vetëm, kanë nisur të blejnë aksione të klubit.
Objektivi është i qartë. Duhen mbledhur 18 milionë euro, përndryshe një nga klubet historikë të futbollit spanjoll do të detyrohet të falimentojë.