Partizani-Flamurtari pati probleme, teksa disa tifozë sulmuan në momentin e golit të Ribajt fotografin e klubit vlonjat. Pretendohet se ai ka provokuar tifozët, ndërkohë që nga ana tjetër thuhet se i është kërkuar nga tifozët të mos bëjë foto. Situata u rëndua, teksa disa tifozë hynë fushë dhe e goditën fotografin.
Më pas situata u qetësua me ndërhyrjen e forcave të sigurisë. Gjithashtu edhe anëtërë të Guerrils shkuan aty për të qetësuar gjakrat. Tashmë ultrasit e kuq kanë dalë edhe më një qëndrim zyrtar në faqen e tyre në “Facebook”.
QËNDRIMI I GUERRILS – “Incidenti i ndodhur në ndeshjen e djeshme nuk pasqyron sjelljen e përgjithshme të tifozerisë së Partizanit. Shkak i ngjarjes u bënë disa provokime, të cilat gjithsesi nuk e justifikojnë kurrsesi sjelljen pasuese nga individë të caktuar.
Akte të tilla nuk i kanë hije tifozerisë sonë dhe gjithmonë mundohemi t’i evitojmë. Grupimi ynë u kujdes që ai incident të shuhej sa më shpejt, edhe pse ndodhi shumë larg tribunës tone. Kjo gjë që na e bëri të pamundur parandalimin.
Ne si tifozeri kemi dhënë shembull dhe do vazhdojmë të japim shembull, duke ju përmbajtur kulturës sonë tifozerike. Një rast sporadik nuk duhet të përdoret për të etiketuar gjithë tifozerinë e Partizanit”, shkruhet në deklaratën e Guerrils.