Strakosha bën dy ndërhyrje të rëndësishme, por goli i Benventos i kalon poshtë këmbëve
Çiro Imobile po kalon në sezonin më të mirë të karrierës. Sulmuesi i Lacios ka shënuar dje golin e tij të 14 në Serie A në 11 javët e para të këtij sezoni. Ky gol kundër Beneventos, e fut në histori Immobilen, duke u bërë lojtari i parë në këtë shekull që shënon 14 gola në 11 ndeshje. Vlen të përmendet se Lacio “shkërmjoqi” 5-1 Beneventon Memushajt dhe Gjimshitit, e cila ende është e mbërthyer në shifrat 0 fitore, në një tabelë renditje që “qan”. Imobile dha edhe asistin e një goli.
Golat e tjerë të bardhekaltërve u shënuan nga Bastos, Marusiç, Parolo dhe blerja e verës, Nani. Sakaq, Strakosha u vlerësua me notën “6”, ndërsa ka shumë faj te goli i parë i Beneventos, duke qenë se topi i Lazar i kaloi poshtë këmbëve. Ndërkohë, kreu dy pritje të bukura, njëra ndaj Çiçiretit. Sa i përket Ledian Memushajt, ndeshja e tij u mbyll pas 45 minutave të para, pasi zhgënjeu totalisht. Ai u vlerësua me notën 4,5. Trajneri e zëvendësoi gjatë pushimit.