Eni Imami la Kukësin në verë për të kaluar te ekipi i Tiranës. Mbrojtësi, i cili luan në disa pozicione edhe te bardheblutë është spostuar disa herë si nga trajneri Ze Maria ashtu dhe tekniku Mema. Në ndeshjen me Flamurtarin, Imami luajti si një mbrojtës qendre dhe bëri një paraqitje të kënaqshme.
Atmosfera duket e mirë në kampion e 24-herë kampionëve të vendit, dhe kjo fitore ka bërë që lojtarët të shkojnë të qetë me pushime. Gjithsesi, Imami ka menduar që të lëshojë një batutë në profilin e tij në “Instagram”, duke vënë në lojë mesfushorin e Flamurtarit, Idriz Bathën.
Në një foto ku veç Imamit e Bathës janë edhe Koliçi e Alla, lojtari kryeqytetas shkruan: “Tre kampionë dhe njëri që e tentoi deri në javën e parafundit”. Normalisht një ngacmim mes shokësh, pasi kujtojmë që dy edicione më parë Alla, Imami dhe Koliçi dolën kampion me Kukësin, ndërsa Partizani ishte kandidat deri një javë para fundit të kampionatit.