Hakan Calhanoglu trazoi jo pak ujërat në Milano verën e shkuar. Megjithëse ishte një nga pikat kyçe të një Milani që po tregonte nga java në javë vetëm rritje, mesfushori turk zgjodhi t’i braktiste. E për ta bërë më të madhe dhimbjen vlejti fakti se firmosi me rivalin e përbetuar të kuqezinjve, Interin.
Zikaltrit sapo ishin shpallur kampionë të Serisë A dhe kaq ka mjaftuar për Calhanoglunë. “Erdha këtu, sepse dua të fitoj trofe“, kjo ishte arsyeja që lojtari turk dha për largimin e tij. Por tradhëtia nuk ia vlejti, teksa fati në fund të sezonit luajti lojra me të. Veshi fanellën zikaltër për të marrë në duart e tij trofeun e kampionit, por në fund e gjitha çfarë fitoi ishte vetëm Kupa e Italisë. Titulli këtë sezon i shkoi pikërisht ish-skuadrës së tij Milanit, dhe ndoshta në pendesa ka nisur të zërë vend në mendjen e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/