Aventura e Mario Mandzukiç tek Milani nuk ishte aspak pozitive, teksa kroati nuk arriti të shënojë asnjë gol që nga janari, kur u transferua tek Milani. 35 vjeçari vazhdoi “mallkimin” e numrit 9, që pas Pipo Inzagit askush nuk ka arritur të ketë sukses në ekipin e Milanit, pasi ka mbajtur në shpinë këtë numër.
Pasi Milani arriti objektivin ditën e djeshme, ku u kualifikua në Champions League pas fitores se Atalantës, Mario Mandzukiç ka deklaruar se do të largohet në merkaton e verës. Marrëveshja 6 mujore i sulmuesit kroat mund të rinovohej nëse ai arrinte të linte shenjë me Milanin, por kjo nuk ndodhi për shkak dhe të dëmtimeve si dhe hapësirave të pakta në fushën e gjelbërt.
“U jam mirënjohës drejtuesve të klubit që më dhanë këtë mundësi, si dhe stafit e trajnerit për punën e tyre të palodhur. Gjithashtu dhe shokëve të mi të skuadrës të cilët nuk janë vetëm lojtarë të shkëlqyer, por një grup djemsh fantastik. Jam i lumtur që arritëm ta rikthejmë këtë klub madhështor në Ligën e Kampionëve. Unë i uroj të gjithëve në klub vetëm më të mirën për të ardhmen ”, ka shkruar ai në rrjete sociale. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/