“E dimë se kemi probleme dhe jemi vonë në aspektin sportiv. Një kosto që e kemi marrë përsipër për të bërë zgjedhjet e duhura. Nuk do të vonohemi shumë, pasi do të zyrtarizojmë emrat e drejtuesve shpejt, pasi nuk ka më shumë kohë”, – u shpreh Suad Lici në një intervistë të tij për “Sport Ekspres” ditën e djeshme.
Në fakt, Vllaznia nuk është se është vonë, shkodranët janë tmerrësisht shumë vonë. Skuadra kuqeblu nuk po arrin të stabilizohet dhe të dalë me deklarata zyrtare në lidhje me vendosjen e emrave të rinj, drejtorit sportiv dhe trajnerit të ardhshëm.
Grupi i lojtarëve ende nuk dihet, ndërsa këta të fundit kanë kryqëzuar gishtat se skuadra do të nisë nga puna javën tjetër, pasi dhe kjo javë shkoi si e gjithë vera. Pa asnjë lëvizje dhe pa asnjë seancë stërvitore. Një skandal i vërtetë, pasi thuajse të gjitha ekipet e Kategorisë së Parë kanë nisur stërvitje.