Drejtuesi i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, garanton se nuk ka asnjë çështje financiare në skuadër. Humbjet e fundit i konsideron një moment të keq
Elton Nika
Çështje pagash në Vlorë? Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, hedh poshtë gjithçka dhe thekson se këto zëra që përhapen kanë si qëllim të dëmtojnë skuadrën e tij. Drejtuesi kryesor i klubit kuqezi, i kthyer pas impenjimeve për çështje pune në Amerikë, ka reaguar fuqishëm, duke u shprehur se nuk ka asnjë problem pagash te Flamurtari. Edhe pse ka qenë larg, administratori Idrizi e ka ndjekur nga afër situatën në klub dhe ecurinë e skuadrës në fushë.
REAGIMI – “Nuk ka asnjë çështje pagash te Flamurtari, – thekson kreu i klubit vlonjat. – Kushdo që dëshiron, mund të vijë në Vlorë dhe të verifikojë gjithçka edhe në llogaritë e lojtarëve, madje edhe të stafit teknik. Nuk ka asnjë problem financiar te Flamurtari, madje nuk ka ekzistuar asnjëherë diçka e tillë, të paktën gjatë këtij sezoni futbollistik. Kushdo që dëshiron të shohë nga afër, nëse një problem i tillë ekziston apo jo, është i lutur të vijë në Vlorë dhe ta shohë nga afër situatën. Por ju siguroj se Flamurtari nuk ka pasur një problematikë të tillë. Gjatë kësaj kohë kam dëgjuar disa herë se ka një problem pagash te Flamurtari dhe nuk e di çfarë kërkojnë ata që i shpikin këto lajme. Nuk e di pse ngrenë probleme që nuk janë te Flamurtari, duke shpikur gjëra që nuk ekzistojnë. E kam dëgjuar edhe në studiot televizive, ndaj dhe i ftoj të gjithë të vijnë në Vlorë dhe të verifikojnë gjithçka. Por, ndërsa një problem i tillë nuk ekziston, atëherë duhet të kërkojnë falje publike. Flamurtari nuk ka probleme pagash, thjesht jemi në një situatë aspak të mirë dhe kjo duhet pranuar, por asgjë më shumë se kaq. Ato që thuhen për ndonjë problem me pagat janë dashakeqësi ndaj Flamurtarit. Dikujt nuk i pëlqen situata te Flamurtari, sepse deri tani kemi bërë diçka të mirë në kampionat, apo edhe në Kupën e Shqipërisë. Kjo është për të ardhur keq. Problemet te Flamurtari kërkojnë ndoshta t’i fryjnë me shumë se çfarë janë dhe ky është problemi. Këtë sezon nuk ka pasur ndonjë shqetësim financiar”.
HUMBJET – Flamurtari vjen pas dy humbjesh radhazi në kampionat dhe ky fakt patjetër që nuk i pëlqen drejtuesit të ekipit vlonjat, por e cilëson një moment të keq, që duhet kaluar me maturi: “Natyrisht që një humbje në shifrat 3-0 djeg për të gjithë, jo vetëm për Flamurtarin. Por ndodhi dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Ishte thjesht një humbje dhe duhet vetëm të shohim përpara në kampionat, si dhe në Kupën e Shqipërisë. Ndoshta skuadra nuk është në një moment të mirë, nuk e di si funksionon nga ana teknike, por padyshim që nuk jam i kënaqur, kur ajo humbet 3-0. Megjithatë, asgjë nuk ka përfunduar dhe duhet të përqendrohemi te ndeshjet e radhës. Duhet t’i japim mbështetje skuadrës në këtë moment të vështirë dhe kam besim se lojtarët do të dinë ta kalojnë këtë situatë”, – ka përfunduar administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.