Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, nuk është se ka mbetur shumë i befasuar apo i indinjuar nga dënimet e Komisionit të Disiplinës në ngarkim të Flamurtarit, për ngjarjet pas ndeshjes kundër Vllaznisë, ku pati shumë tension me arbitrat dhe Ilir Tartari denoncoi në polici pikërisht Idrizin dhe zyrtarë të tjerë vlonjatë për goditje.
Tashmë Flamurtari është dënuar me dy ndeshje me dyer të mbyllura dhe 10 milionë lek gjobë, ndërsa Idrizi nuk do të lejohet për një vit e gjysmë të futet në ambientet e brendshme të stadiumit, si dhe do të paguajë 2 milionë lek gjobë. Këto janë vetëm disa nga dënimet ndaj Flamurtarit, por të paktën është evituar ndonjë heqje pikësh, sepse edhe kjo mendohej.
Për “Sport Ekspres”, Idrizi ka komentuar me ironinë e tij të zakonshme: “Hajt për hajër na qoftë, ç’të them tjetër. Jemi mësuar me dënime, një më shumë nuk na dëmton. Unë në përgjithësi shkoj shumë rrallë në ambientet e brendshme të stadiumit dhe tani e tutje do jem si tifoz në tribunë, në çdo ndeshje shtëpiake, nuk e di për ndeshjet jashtë fushe. Vendimi? Duket qartë që është marrë bazuar vetëm në versionin e njërës palë, nuk është pritur as analiza e pamjeve filmike, as përfundimi i hetimit të policisë, ndaj komentin bëjeni vetë. Apel? Po, do të apelojmë”.