Idrizi: Dua të ndërtoj klub kampion, ekipin e ndërton Duro. Aliji mund të vishet kuqezi

Administratori i Flamurtarit flet për vitin kuqezi, problemet dhe ambiciet, “luftën” me Federatën dhe krijimin e një klubi model

Flamurtari i vitit 2017, ajo që pritet të vitin 2018, faza përgatitore, merkatoja, gjykimet dhe padyshim marrëdhëniet mes Flamurtarit dhe FSHF-së: në një rrëfim të gjatë administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi flet për gjithçka, përfshirë merkaton, ku nuk përmendet vetëm Ledian Memushaj, por edhe një emër tjetër i kombëtares si Naser Aliji.
“Rezultatet janë ato që janë. Pjesa e parë e këtij viti ishte për t’u harruar. E dyta për të shpresuar”, e nis Idrizi, i cili është mjaft i kënaqur nga skuadra aktuale. “Vjet kemi pasur 20 pikë në fushë, këtë vit kemi më shumë. Nuk krahasohet ekipi i vjetshëm me këtë, për shumë arsye. Unë i bëj llogaritë me pikëte fushës. Nuk flas për ato që luhen jashtë fushe. Me 6 pikët që na kanë hequr vjet ju do të shikoni se çfarë do të ndodhë. Do të ndiheni krenar me pjesën civile të qytetit. I kënaqur që në fund Flamurtari të ishte i dyti? Kënaqësitë nuk kanë fund. Por me rezultat në fushë duhet të na bëjnë krenar. Nëse do të jemi në Kupat e Europës, është gjë shumë e mirë”.

Vlonjatët – “Flamurtari i këtij viti është pa vlonjatë, por na jep emocione si vlonjatë. Mjafton të thuash këtë dhe i ke thënë të gjitha. Nuk dua që të fyej njeri, por ka një problem të thjeshtë. Vlonjat nuk lindesh, vlonjat është ai që respekton fanellën. Nëse ke lindur në Vlorë, mund të jesh një gëzhojë e vjetër dhe i pacipë ku shet për 5 mijë apo 10 euro fanellën tënde. Ti nuk mund të krenohesh se je vlonjat i pacipë i Vlorës. E dinë vetë ata të pacipë. Nuk është një, janë disa. Disa prej tyre i kam çuar në Prokurori.”.

Ekipi i ri – “Me ekipin nuk jam unë i kënaqur, është i gjithë qyteti. Unë nuk kam pasion për të huajt. Dua të kem të mitë, por kur gjatësia e valës mbaron tek shitja e fanellës, nuk ka më koment. Unë dua të kem lojtarë të mirë vlonjatë, por nëse këta vlonjatë nuk dihen si vlonjatë për fanellën, nuk kemi çfarë të kërkojmë më. Nuk kemi më lojtarë që shëtisin basteve të Vlorës, ekipi aktual ka dinjitet”.

Lufta me Federatën – “Është një zotëri okupator i futbollit që teston herë pas herë nervat tona. Unë di edhe iso, por këtij nuk i mbaj dot iso, do të jemi zëri i parë. Është e vështirë për t’u fituar lufta e nervave me vlonjatët. Marsi do të jetë gjë tjetër. Në Shqipëri futbolli duhet të luhet në fushë. Të huajt e Flamurtarit janë të çuditur nga kjo gjë. Vjen një kamikaz këtu në Vlorë që për dy ditë teston nervat e qytetit. Ne nuk do të godasim njeri me gurë. Nëse gjakos gjyqtarësh dënohesh dy ndeshje, nëse ironizon kryetarin e FSHF-së dënohesh katër ndeshje. Ironia nuk pranohet, se pulat janë më të rëndësishme se jeta e lojtarëve”.

Ndryshimi te Flamurtari – “Kanë ndryshuar shumë gjëra, por e veçanta është që trajneri bën edhe menaxherin e ekipit. Na kritikuan në verë që trajneri nuk mund të bëjë edhe menaxherin, por ne po ndërtojmë modelin tonë. Flamurtari është aset dhe duhet të ketë një bord ekzekutiv që di të menaxhojë dhe jo një bord që drejtohet nga një president mendjelli që di çdo gjë, një nëpunës shteti, që komenton ndeshjet. T’ia lënë menaxhimin atij që e di ta bëjë. Flamurtari ka pasur trajnerë të mirë edhe në të kaluarën, por Duro është më i disiplinuar realisht, jo teorikisht. Si ka mundësi që lojtarët vlonjatë kanë marrë gjithmonë kartonë të kuq? Në Vlorë ne jemi në lagjen tonë dhe bëjmë të fortin, në transfertë nuk merrnim kurrë të kuqe, si shpjegohet? Unë kam shembull Telushin, si shpjegohet që në Vlorë merrte gjithmonë të kuqe, në Kroaci nuk mori asnjë të verdhë? Me sa duket është emocioni vlonjat”.

Borxhet dhe privatizimi – “Dje kemi pasur një gjyq të fundit me Idrizajn. Unë akuzoj atë dhe avokatin e tij për jokorrektësi. Te pagesat e bankës, nuk ka çuar fletën e tre muajve dhe kërkon dhjetëra milionë lekë. Këta janë të pabindur për brutot dhe netot. Shkojnë në gjykatë, por nuk kanë fletushkat me vete. Ne i kemi të skeduara në bankë. Nuk i mbakan mend që i kanë marrë? Kjo kalon çdo limit. Dua të mbyll edhe këto dy dosje dhe do t’i drejtohem shtetit shqiptar. Rasti tjetër është që na kanë dënuar edhe për Kuqin. Është e njëjta histori. Është edhe Halilaj? Po. Ai ka fituar gjysmën e asaj që pretendonte. Klubi do të shlyejë çdo detyrim, por konform ligjeve. Dosjes për në gjyq iu shtua edhe Kuqi. Ne do të bëjmë pagesën, por ata do të na kthejnë detyrimin e tatimeve. Gjika thotë jam president i Flamurtarit, kur klubi është SHA dhe aksioner është Këshilli Bashkiak. Unë do të hap çështje penale. Në 330 mijë eurot e ardhura nga Kupa e Shqipërisë, ne patëm në arkë vetëm 80 mijë, të tjerat avulluan. Problem në Shqipëri është mosndryshimi i statusit. Të gjitha janë klube pa asete. Duhet një shtysë politike e kryeministrit që sporti shqiptar të ndahet nga entet publike. Nuk duhet të varen nga bashkitë, por nga ata që menaxhojnë. Unë nuk di të ndërtoj ekip kampion, nuk jam i aftë, dua të ndërtoj një klub kampion. Të gjithë janë të prirur tek kupa e kampionati. Ne do të kërkojmë të rinjtë tanë kur të kemi një klub kampion”.

Merkatoja – “Afrimi i katërt, Fisnik Zuka, është njohje e vjetër e Duros. Ishte një kërkesë e tij që klubi ia ka plotësuar. Ne kemi hyrë në kontakt edhe me Memushajn. Ka qenë më tepër se i disponueshëm për të luajtur me Flamurtarin, por ka disa klauzola, është 50 me 50. Nëse nuk vjen në janar, Memushaj do të vijë në maj. Para dy ditësh kemi hyrë në konktakt edhe me Naser Alijin, mbrojtësin e majtë të kombëtares shqiptare. Ky nuk është vlonjat, por do të jetë kuqezi. Do të kërkojmë që të jemi konkurrues dhe realisht kuqezinj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *