Takaj-Daja projektojnë Skënderbeun e 2018-ës

 

Presidenti dhe trajneri diskutojnë gjatë për të ardhmen e ekipit. Synohen të paktën dy afrime në merkaton dimërore. Keniani Juma nuk vjen në Korçë

Leonard Trebicka

Një ditë më vonë nga sa ishte parashikuar janë takuar presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, dhe trajneri Ilir Daja. Dje pasdite ata kanë folur gjatë për skuadrën dhe lëvizjet që pritet vtë bëhen në merkato. Takaj dhe Daja kanë vendosur piketat e Skënderbeut të vitit 2018-të. Burime pranë gazetës bëjnë me dije se trajneri Daja i ka folur me detaje presidentit për gjendjen e ekipit pas gjysmës së parë të Superligës. Është analizuar edhe paraqitja në Europë, që u mbyll ditët e para të dhjetorit, por që ishte mjaft e suksesshme për Skënderbeun.
Ajo që ka më shumë interes në këtë moment është padyshim merkatoja dimërore. Presidenti Takaj i ka propozuar trajnerit Daja disa emra dhe ky i fundit do të vendosë se cilët prej tyre janë të përshtatshëm për Skënderbeun. Vëmendja më e madhe është për lojtarin, i cili do të përforcojë sulmin, ku skuadra ka më shumë nevojë. Nuk është bërë e mundur të mësohen emra konkretë në lidhje me kandidatët për të veshur fanellën e Skënderbeut. Deri më 3 janar stafi teknik do ti shohë me shumë kujdes të gjitha alternativat dhe do të përzgjedhë mes këtyre lojtarëve të huaj. Mësohet se mes kandidaturave ka kroatë, polakë dhe afrikanë. Nuk përjashtohet mundësia që në janar të huazohet ndonjë lojtar me vlera, siç rezultoi në rastin e Ali Soue. Gjithsesi, në këtë moment ka vetëm hipoteza dhe asnjë pistë konkrete, sepse drejtuesit e Skënderbeut kanë gjithë kohën e nevojshme për të zgjedhur lojtarët që u duhen. Takaj dhe Daja dje zhvilluan takimin e tyre të parë, duke hedhur piketat, por ata do të takohen vazhdimisht gjatë kësaj kohe për të diskutuar më tej për lojtarë të veçantë.

SULMI – Ajo që trajneri Daja ka kërkuar nga presidenti me ngul, është që në ekip të vijë të paktën një sulmues. Martin Nespor është zhdukur dhe nuk kthehet te Skënderbeu, kështu që duhet patjetër të vijë një lojtar për repartin e avancuar, ku janë vetëm Soue dhe Xhejms. Ka pasur ndeshje, ku këta të dy nuk kanë qenë në dispozicion dhe trajneri Daja ka aktivizuar Demten, siç ishte rasti me Jang Bojsin në Zvicër. Në këto kushte, është e sigurt që në janar do të vijë një sulmues dhe më pas do të shihen repartet e tjera, që në fakt janë të kompletuara. Nuk është folur dje për ndonjë shitje të mundshme, edhe pse ka shumë fjalë për Jashanicën dhe Lilajn. Vetëm nëse do të ketë largime nga mbrojtja dhe mesfusha, do të ndërhyhet në merkato.

JUMA Nga mediet afrikane u mësua një ditë më parë se sulmuesi Masud Musa kërkohej nga Skënderbeu. Lojtari 21-vjeçar nga Kenia është golashënuesi më i mirë i kampionatit vendës, por kjo pistë duket se ka rënë poshtë, pasi ai ka zgjedhur të shkojë në Afrikën e Jugut. Nga drejtuesit e klubit bardhekuq është pohuar se sulmuesi në fjalë ishte një alternativë dhe mund të provohej, por tash duhen parë pista të tjera, sepse Juma ka vendosur të kalojë tek ekipi Supersport në Afrikën e Jugut. Po shikohen për momentin edhe lojtarë të tjerë në Afrikë dhe ndoshta mund të kemi ndonjë afrim nga ky kontinent. Sulmuesi që do të vijë te Skënderbeu do të jetë i huaj, sepse në Shqipëri nuk ka alternativa. Po ashtu, numri i të huajve te korçarët është i ulët. Në ekip të huaj janë vetëm Bakari Nimaga, Marko Radas, Ali Soue, Xhejms Adeniji dhe Beniam Demte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online