Idrizi: Bregu e ka në dorë, prisni surpriza

Administratori i Flamurtarit analizon merkaton e bërë deri më tani dhe paralajmëron lëvizje të tjera në hyrje e dalje. Jakovljeviç është në dyshim, ndërkohë që pranon marrëveshjen me Luftëtarin për sulmuesin

Elton Nika

Merkatoja tek Flamurtari ka nisur. Deri më tani janë realizuar edhe dy afrimet e para në merkaton e skuadrës vlonjate, por nuk do të jenë të vetmet. Normalisht do të ketë edhe lëvizje në dalje, pavarësisht se për diçka të tillë duhet pritur përfundimi i dy ndeshjeve të fundit për këtë vit kalendarik. Dejvi Bregu mbetet dëshira e vlonjatëve për merkaton dhe madje është arritur akordi me Luftëtarin dhe tashmë pritet përgjigja e sulmuesit anësor. Administrator i Flamurtarit, Sinan Idrizi, pas dy afrimeve të para konfirmon se merkato e Flamurtarit do të ketë surpriza. “Merkato do të ketë surpriza. Presim Dejvi Bregun, që është në planet e Duros, por është në dorën e lojtarit tani që të vendosë. Ne e kemi bërë tashmë hapin tonë dhe kemi arritur një akord me drejtuesit e Luftëtarit. Bregu është një lojtar shumë cilësor, nga më të mirët në kampionatin shqiptar dhe dëshirojmë që të jetë pjesë e Flamurtarit. Tani mbetet gjithçka në dorën e vetë futbollistit për të vendosur nëse do të jetë apo jo pjesë e Flamurtarit”, tha fillimisht Idrizi për gazetën.

LARGIMET
Në ekipin vlonjat ka disa lojtarë që nuk kanë pasur hapësira në ekip, ndërkohë që ato edhe për ndonjë lojtar tjetër do ngushtohen me afrimet e fundit që janë bërë dhe me ato që do bëhen. Kështu që do të ketë edhe largime. “Veç afrimeve, padyshim që do të ketë edhe largime, por do të shihet pas dy ndeshjeve të fundit të këtij viti kalendarik dhe mbylljes së kampionatit. Duhet kuptuar se ne nuk mbajmë lojtar me zor. Nga lojtarët aktual, kush do edhe mund të largohet, kjo varet nga vetë lojtarët që janë pjesë e skuadrës dhe kanë luajtur më pak. Por kjo pjesë nuk më takon mua të them. Lojtarët që dëshirojnë të largohen le të bëjnë diçka të tillë”, shtoi administratori i vlonjatëve.

AFRIME TË TJERA
Idrizi nuk ndalet me kaq, teksa vlerëson afrimet e bera dhe premton se do do të ketë surpriza: “Lojtarët e rinj që kanë firmosur janë cilësorë dhe kane qenë kërkesa të trajnerit. Në vazhdim do të kemi të tjera surpriza. Skuadra deri më tani ka bërë mjaft mirë në kampionat dhe padyshim që jemi të kënaqur ndaj pse jo të mos i dhurojmë surpriza dhe të plotësojmë kërkesat që vetë trajneri do të paraqesë. Mendoj se lojtarët e rinj që sapo kanë firmosur janë mjaft cilësore, si sulmuesi ashtu edhe mesfushori, i cili është një lojtar klasi. Të shohim në ditët në vijim se çfarë lëvizje të tjera do të kryejmë në merkato. Madje e ritheksoj se do të kemi surpriza në merkato”.

JAKOVLJEVIÇ DHE “ÇELËSI”
Dejvi Bregu është dëshira kryesore e Flamurtarit, një lëvizje që do të përcaktojë shumë edhe për merkaton në vijim. Akordi, si edhe ishte konfirmuar ditë më parë, është arritur mes dy klubeve. Afrimi i Bregut do të ndikonte edhe tek afrimi i lojtarëve të tjerë, por edhe në lojtarët që pritet të largohen nga kampi vlonjat. Burime nga klubi kanë konfirmuar se Bregu do të përcaktojë shumë rreth skuadrës që do të jetë prej janarit. Ndërkohë pritet që lëvizjet në merkato të vijojnë. “Sport ekspres” mëson se një tjetër lojtar është shumë pranë Flamurtarit. Mësohet se bëhet fjalë për një futbollist maqedonas, por emri mbetet ende i panjohur. Ndërkohë, sa i përket largimeve, mbetet ende në pikëpyetje e ardhmja e futbollistit Ivan Jakovljeviç, të cilit i mbaron kontrata në muajin janar. Për momentin nuk ka ende asnjë lëvizje rreth rinovimit të lojtarit, teksa pritet përfundimi i pjesës së parë të sezonit për të folur për të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online