Idrizaj: Me Ilirinë përgatitemi për Teutën, duam fitoren e parë

Hektor Idrizaj është gati për ndeshjen e radhës ne kampionat me Teutën, por me shumë mundësi trajneri Ramadan Ndreu do ta hedhë në fushën e blertë që në sfidën e Kupës së Shqipërisë me Ilirinë për të fituar ritmin e shokëve, pasi në ndeshjet me Skënderbeun dhe Lushnjen ka munguar për arsye dëmtimi.

Te Kamza ka keqardhje për barazimin me Lushnjen dhe këtë e thotë edhe Idrizaj: “Ekipi është i vetëdijshëm që mund të merrte edhe trepikëshin, kjo është edhe ajo që la shijen e hidhur. Megjithatë është një pikë jashtë dhe nuk duhet parë vetëm ana e keqe. Rastet i kishim, ndaj edhe të gjithë e dinë që mund t’i merrnin tre pikët”. Sot në Kamzë do te luhet ndeshja e dytë me Ilirinë dhe kualifikimi i mëtejshëm është çështje që nuk vihet në diskutim, teksa edhe rezultati 0-2 i ndeshje së parë i ka mbyllur llogaritë në njëfarë mënyre. Trajneri Ramadan Ndreu pritet të hedhë në fushë një formacion të alternuar, teksa kërkon që të shohë edhe gjendjen e disa futbollistëve për të përcaktuar titullarët për ndeshjen me Teutën.

Në lidhje me sfidat në vijim, Idrizaj për “Supersport” deklaron: “Për mendimin tim është shumë mirë që kemi një ndeshje me Ilirinë, pasi aty do testojmë edhe mendimet e trajnerit se kush do të jetë në fushë në kampionat. Ndeshja me Teutën është një ndeshje me vështirësi shumë të lartë, pasi ata kanë një ekip që vendoset mirë në fushë dhe janë lart fizikisht. Objektivi ynë dihet: vetëm tre pikët na bëjnë punë. Futbollit nuk i dihet. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, ndaj t’ia lëmë fushës”.

Ndaj Teutës luhet ditën e diel prej orës 14:00, teksa Kamza do kërkojë të marrë fitoren e parë në kampionat. Deri më tani ekipi i financuar nga Naim Qarri ka grumbulluar vetëm dy pikë, falë dy barazimeve të arritura me Skënderbeun dhe Lushnjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *