Idhulli Bufon, “tangjenti” Fulham dhe… Inzagi, Foto rrëfen Thomasin!

Strakosha, “tangjenti” Roma dhe idhulli Bufon. i ati Foto: “Krenar për atë që po bën. Dhe të mendosh që për pak nuk shkoi te Fulhami…”

Në atdhe është praktikisht një legjendë, “Zof” i Shqipërisë, 73 ndeshje me përfaqësuesen dhe një nga portierët e parë shqiptarë që shkoi të luante jashtë vendit. Fotaq Strakosha, i thënë shkurt “Foto”, buzëqesh: “Zof është një emër që rëndon shumë, sidoqoftë jam krenar që krahasohem me atë”. Portier, por sidomos babai i Thomasit, Strakosha i shtëpisë Lacio, është mentor i portierit të ri të talentuar bardhekaltër, që me pritjet e tij, paraqitjet super dhe sidomos pasi neutralizoi një “vrasës” si Dibala, duke e futur në krizë këtë të fundit, ka bërë për vete gjysmën e Romës, atë të “shqiponjave”: “Jam i lumtur si çdo baba mund të jetë për të birin e tij – shprehet Foto për “gianlucadimarzio.com”. “Më bën krenar fakti që është duke bërë mirë profesionin e tij”. Këmbë në tokë, kjo është moto e familjes. Dhe nuk ekzistojnë rreziqe rinovimi kontrate që sapo ka firmosur deri në 2022 apo euforia mbytëse në këtë moment të rëndësishëm, për djaloshin që ka lindur në Athinë. “Jo! Asnjë problem dhe asnjë rrezik. E njoh mjaft mirë dhe kam besim te karakteri i tij”.

Fëmijëria e të voglit Thomas

Të rritur përkrah njëri-tjetrit, Fotaq dhe Thomas, si çdo baba me djalin e tij, kanë një raport special. i vogli Thomas e sheh duke u stërvitur, kështu vendos që të vendosë edhe ai dorezat për t’i ngjarë të atit… “Që i vogël besoj se u frymëzua duke më parë teksa luaja, fakti që unë isha portier ndikoi që ai të niste pikërisht të mendonte për atë rol, të portierit”. Nëse ka dyshime, mjafton që të shohësh faqen e Instagramit të Thomasit, ku foto e të atit është e pranishme më shumë se sa ajo e vetë djaloshit… “Kjo më lumturon. Shpresoj që t’i kem dhënë impulsin pozitiv për të mbërritur në nivele më të larta në këtë sport”. Babai, pa asnjë dyshim, por ka edhe një idhull në fëmijërinë e Thomasit: “Ishte Bufon”. Thomasi rritet në Greqi, ku i ati e stërvit. “Kur ishte 15-vjeç kuptova se vërtet mund të bëhej i fortë. Kishte reflekset e portierit, por ajo që më goditi gjithmonë ishte padiskutim karakteri, profesionaliteti i tij që më bënte të kuptoja se sa motivim kishte”.

Mbërritja në Romë

Lacio e “peshkn” te Panioniosi por deri në fund fati i Thomasit ishte në dyshim mes Romës dhe Londrës: “Përpara se të firmoste me Lacion, kishte një interes nga një klub anglez, Fulhami. Jo vetëm, edhe Roma e donte. Kemi menduar gjatë këtë zgjedhje për të bërë dhe në fund ishte mes Romës dhe Lacios. Më pas, zgjodhëm Lacion”.

Dhe këtu futet në skenë një tjetër njeri që luajti një rol kyç, ndoshta për shkak të gjuhës së njëjtë, ose edhe për nuhatjen e tij të veçantë: “Igli Tare ndikoi te zgjedhja jonë. Na bindi me projektin e tij dhe me të gjithë atë që përfaqëson, saqë edhe tani Igli dhe Thomasi kanë një raport të shkëlqyer”. Strakoshës i duhet vetëm pak për të shlyer besimin e drejtorit sportiv bardhekaltër. Në vitin e tij të parë me ekipin Primavera fiton titullin dhe ngrë kupën e Italisë në qiell.

E gjitha kjo nën shikimin e një tjetër legjende, Adalberto Grixhioni, përgatitësi historik i portierëve te Lacio. “Me të jam i qetë sepse është një profesionist shembullor dhe ka pasur gjithmonë një raport të shkëlqyer me Thomasin”. Është e vërtetë, Grixhioni njeh gjithçka nga Strakosha dhe atij i është tepër mirënjohës portieri shqiptar, që pas sukseseve me ekipin Primavera dërgohet në huazim te Salernitana ku vijnë momentet e para të vështira: “Është normale që do të haste vështirësi. Një vend i ri, një gjuhë e re, shokë të rinj ekipi por sidomos ndihet distanca dhe largësia me familjen. Por, ju siguroj që ato vështirësi e ndihmuan të bëhej i madh”.

Kombëtarja

Ndërkohë, në Formelo portën e kishte marrë një tjetër shqiptar, Etrit Berisha. Praktikisht, “Shqipëria në pushtet” dhe kushedi nëse Fotaq Strakosha ndihet se i hapi rrugën portierëve të vendit të tij: “Jam i lumtur që jam një nga portierët e parë shqiptarë që kam bërë karrierë jashtë vendit”. Ajo që është e sigurt është se Berisha-Strakosha do të bëhej një duel sportiv mjaft interesant. Ishte te Lacio, ku i pari i la vendin të dytit, por edhe në kombëtare. “Çdo konkurrencë të bën mirë, është shtysë për t’u bërë edhe më i fortë. Detyra e Thomasit është që të bëjë mirë me skuadrën e tij të klubit. Më pas, në kombëtare do të vendosë trajneri dhe zgjedhjet e tij do të respektohen”. Të gjithë e dinë se çfarë përfaqëson, sidomos nga ana tjetër e Adriatikut, Xhani de Biazi. E di mjaft mirë edhe Thomasi, duke qenë se pikërisht me trajnerin italian në stol erdhi debutimi i tij në kombëtaren e madhe: “Po është e vërtetë. Thomasi e thotë gjithmonë se sa De Biazi ishte i rëndësishëm për Shqipërinë. Ai i ka dhënë mundësinë që të debutojë me kombëtaren e madhe. Por, vërtet që është një njeri i madh për atë që ka bërë për Shqipërinë dhe kombëtaren”. Tani, një tjetër italian në stol, Panuçi. “Uroj që të bëj po aq mirë”. Ndërkohë, rekordi i ndeshjeve është ende i Fotos… “Nëse im bir do ta mundë, do të më pëlqente dhe do të më bënte njeriun më të lumtur dhe krenar për të”.

Mjeshtri Inzagi

Por, tani duhet menduar për Lacion, që ashtu si portieri është duke fluturuar lart… “Më pëlqen Lacio, më pëlqen futbolli që propozon, grupi i futbollistëve. Besoj se është në rrugën e duhur për të mbërritur sa më lart. Pastaj, ka një trajner që arrin të marrë më të mirën nga skuadra e tij”. Ja, pikërisht Simone Inzagi: “Për mua ai është vërtet i aftë. E lexon shumë mirë kundërshtarin dhe e përgatit skuadrën në mënyrë shembullore. E dini, Thomasi më thotë shpesh që Inzagi me besimin që i ka dhënë i ka ndryshuar karrierën dhe jetën”. T’i besosh nuk është e vështirë, duke parë që në Primavera (pra, të rinjtë), tekniku e kishte propozuar titullar, praktikisht sapo erdhi, duke bërë të njëjtën gjë te ekipi i parë, sapo Marketi doli për dëmtim në sezonin 2016-2017. Besim i shpaguar dhe e kulmuar me pritjen ndaj Dibalës, disa javë më parë. Tituj gazetash si një shi gjatë vjeshtës dhe pikë të rëndësishme për Lacion. Por, edhe këtu kthehet i ati. Një pritje e jashtëzakonshme, që megjithatë “u këshillua” nga dikush në veçanti, ashtu si tregoi vetë Strakosha: “Është e vërtetë, ne flasim për shumë gjëra, edhe për elementë të punës. Në veçanti, ballafaqohemi mbi pozicionin që duhet të ketë një portier në disa episode. Ajo pritje kishte peshë të madhe për Thomasin, duke qenë se i dha Lacios mundësinë e një fitore në Torino”.

Endrrat e Thomasit

Pjesa tjetër është histori e tanishme, Thomasi thjeshtësinë nuk e ka humbur as edhe këtë herë që përpara tij rruga është me pamje nga deti: “Im bir ka një rrugë të gjatë përpara dhe punon çdo ditë për të bërë më mirë. E mira nuk ka fund”. i zgjuar, baba Strakosha, edhe kur i kërkon nëse e imagjinon birin në një top klub evropian: “Thomasi është që tani në një ekip të madh. Uroj që ta bëjë mirë kudo që do të luajë”. Por, a e ka një ëndërr Strakosha? “Nga ajo që kuptova, dëshiron që të bëhet më i miri në absolut dhe të fitojë shumë trofe me ekipin e klubit dhe kombëtaren”. Dhe, ëndrra e të atit është kjo: “Që Zoti t’i japë shëndet dhe që të vazhdojë kështu, me seriozitet dhe impenjim. Kur e shoh gjithmonë të lumtur është për mua kënaqësi. Dua ta shoh të realizojë ëndrrat”. Rruga është e duhura.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *