Idhull Ronaldon dhe ëndrra me fanellën kuqezi, njihuni me talentin Kurtishi

Zvicra është një “fidanishte” edhe për kombëtaren e Shqipërisë, apo edhe për përfaqësuesen e Kosovës. Atje jetojnë shumë shqiptarë dhe sigurisht janë mijëra të rinj të pasionuar pas futbollit. Emrat e tyre që po shkëlqejnë në këtë sport atje janë të shumtë, ndërkohë që ka edhe të tjerë që po rriten gradualisht.

Njëri prej tyre është edhe Amir Kurtishi. Vetëm 11 vjeç, por që po spikat. I lindur me 13 qershor 2007,  vogëlushi i gjatë 150 cm dhe 41kg, luan si sulmues. Këmba e majtë nuk i dallon nga e djathta dhe momentalisht të krijon bindjen se në të ardhmen do të bëhet futbollist i madh. Sigurisht duket kohë, pasi është vetëm një fëmijë. Gjithsesi dëshira e tij më e madhe është që një ditë të veshë fanellën kuqezi.

Kurtishi ka lindur në Zvicër, aty ku prindërit jetojnë e punojnë prej 30 vitesh. Në Kantonin e St. Gallen, ku edhe familja e tij ëhtë vendosur, Amiri i ka hedhur hapat e parë në futboll që në moshën 4-vjeçare. FC Weesen ishte skuadra e parë dhe në moshën 9-vjeçare u bë pjesë e Team Glamerland. Ky ekip punon në kuadër të St. Gallen.

Pikërisht me ekipin St Gallen U12 Almiri pritet të tregojë vlerat e tij dhe më pas të zhvillohet si futbollit. Tashmë e ka vetëm pasion dhe këtë e thotë edhe babai i tij, Ramiu:“Amiri e dashuron shumë futbollin. Çdo herë dëshiron të jetë më i miri. Ka shumë dëshirë që të shënojë gola, të bëhet më i miri. Është mjaftë punëtor, prandaj është pëlqyer edhe nga trajneri i Akademisë së futbollit shqiptar në Zvicër, Bekim Ameti, tek i cili po stërvitet një muaj”.

Amiri po përjeton epokën e artë të Mesit dhe Ronaldos. Idhulli i tij është portugezi. “Kur luajnë Reali dhe Bajerni, gjithmonë jemi kundërshtarë. Unë kam edhe një djalë tjetër, e quajnë Jasin, dy vjet më i ri se Amiri. Edhe ai luan fuboll te FC Weesen, është lojtar shumë i mirë. Është tifoz me Bajernin dhe Juventusin. I pëlqen Mohamed Salah. Të shtoj edhe këtë se Amiri është i shkëlqyeshëm edhe në shkollë. Nga vera e ardhshme do të shkojë në shkollë Sekondare, megjithatë futbollin e kemi prioritet”, tregon i ati.

Më tej ai shton: “Jam edhe trajner. E dua futbollin, kam luajtur si ri. Në vitin 2018 me trajnerin e njohur Bekim Ameti në një turne bamirësie udhëhoqëm ekipin Team Albania, gjenerata 2006/07, i përbërë nga lojtarë të skuadrave elitare në Zvicër. Në këtë turne morën pjesë disa ekipe me lojtarë spanjoll, serb, italian, serb, maqedonas, dhe ne zumë vendin e dytë. Në finale humbëm nga Zvicra, kurse Amiri gjatë turneut shënoi 4 gola”.

Bekim Ahmeti, trajneri i i Akademisë së Futbollit Shqiptar në Zvicër, komenton gjithashtu cilësitë e Kurtishit: “Amiri është një djalë shumë i zoti. Është mjaftë i talentuar, inteligjent dhe i shpejtë. Është nuhatës i mirë i golit. Ka një muaj që stërvitet te Akademia jonë dhe unë pres shumë nga ai. Nëse vazhdon kështu si ka nisur, atëherë mund të them se do të ketë një të ardhme shumë të mirë”, përfundon Ahmeti për Lajmpress.com.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *