Nga Klaudio Ndreca
Një ide shumë interesante hodhi figura e njohur e futbollit në Shqipëri, Roland Luçi, që në vendin tonë të ktheheshin tifozët në stadiume me disa rregulla specifike. Në mënyrë të tillë duke lënë hapësirë mes stolave ku ata qendrojnë, për të mbajtur distancën e sigurisë, por një numër i caktuar i sportdashësve të kishin mundësinë që ta shihnin ndeshjen nga afër.
Megjithëse në Shqipëri është e pamundur një gjë e tillë, duke parë se Qeveria nuk ka dhënë ende konfirmimin zyrtar për kthimin e kampionateve, por në Rusi është zbatuar një gjë e tillë. Federata Ruse e Futbollit ka konfirmuar se tifozët do të kthehen që në 21 qershor, me rifillimin e futbollit.
Federata ka marrë konfirmimin nga autoritetet shëndetësore në Rusi, duke parë që ka skuadra që po kalojnë vështirësi të rënda nga pandemia dhe mungesa e tifozëve vetëm sa përkeqëson krizën. Për këtë arsye, kampionati në këtë vend do të nisë me 10% të kapacitetit të stadiumit i cili do të lejohet për t’u mbushur. Në këtë mënyrë do të respektohen edhe distancat mes tifozëve, për të mos patur një kërcënim për rritjen e infektimit nga pandemia. /Sport Ekspres/