I vyer si Ronaldo, por rinovimi i Manxhukiç nuk është prioritet

Shtatë rrjeta në 14 ndeshje. Gola me peshë kundër Lacios, Napolit, Milanit dhe Valencias: vendimtarë për vendin e parë në Serinë A dhe për kualifikimin në Champions League. Edhe pse në moshën 32-vjeçare, Mario Manxhukiç është një element tejet i rëndësishëm për Juventusin.

Po aq i vlefshëm sa Kristiano Ronaldo, me të cilin kuptohet më së miri në fushë. Të dy duket sikur e plotësojnë njëri-tjetrin në fushë. Për këtë është bindur edhe Alegri, që në ndeshjet e rëndësishme e ka të qartë se në sulm luajnë Ronaldo dhe Manxhukiç, ndërsa gara është e hapur vetëm për fanellën e tretë të titullarit.

Juventusi po shijon momentin magjik të kroatit, por mendon vetëm për të tashmen dhe jo për të ardhmen. Kjo do të thotë se për momentin, në axhendë nuk është parashikuar asnjë takim për rinovimin e kontratës, e cila përfundon në vitin 2020. Manxhukiç ka ende edhe një vit e gjysmë kontratë dhe te bardhezinjtë nuk duan të nxitohen.

Në fillim të vitit 2019, Paratiçi do të ketë një takim me përfaqësuesit e futbollistit dhe aty ndoshta mund të vlerësohet hipoteza e rinovimit edhe për një tjetër sezon, deri më 2021. Një hipotezë që Manxhukiç do ta miratonte. Te Juventusi dhe në Torino, ylli kroat ndihet mirë dhe vazhdon të japë kontributin me lojë, gola dhe sakrificë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *