I vetëm në shtëpinë e…suksesit!

Njerëzit në postin e Armand Dukës sjellin gjithmonë antipati dhe shkaktojnë reagime të shumta. Kjo lidhet me vetë pozitën, për shkak se kur vjen në vende të tilla duhet që gjithmonë të marrësh vendime të forta, vendime të cilat kanë një faturë sa i përket ndjeshmërisë së publikut.
Siç ishte edhe rasti i Europianit të U-21 vjeçarëve që do të zhvillohet me Serbinë. Një Europian ky i cili sjell shumë përfitime për futbollin shqiptar dhe që nga ana organizative nuk do të ketë asgjë më shumë sesa ndeshja Shqipëri-Serbi. Pra dy Federatat do të flasin në po të njëjtën mënyrë, siç kanë bashkëpunuar për dy ndeshjet e kualifikueseve të Botërorit.

E thënë më ndryshe nëse marrim metrin e patriotizmit, nëse ky Europian duhej lënë në mes, atëherë edhe ndeshja Shqipëri-Serbi duhej lënë në mes, të mos zhvillohej. Por nga njëra anë do të humbisnim 0-3 dhe nga ana tjetër do të humbisnim një Europian të zhvilluar në Shqipëri, i dyti më i madhi për Kombëtaret pasi bëhet fjalë për U-21.
Madje “paranoja” ishte aq e fortë sa kur Shqipëria priti mirë Serbinë në ndeshjen në Tiranë, shumëkush tregonte skenat e Beogradit që do të përsëriteshin në kthim. Por historia doli e kundërt, Shqipëria nuk ishte më ajo e 2014, doli me nder dhe doli me 3 pikë pa u prekur dhe cënuar qimja e flokut. Armand Duka ka goditur gjithmonë me vendimet e tij duke mos ngatërruar rrugën në momentet më vendimtare. Kjo nuhatje dhe pikë e fortë e tij e ka bërë që të shkojë në postin e zëvendës presidentit të UEFA-s. E çdo gjë kur arrihet, i humb kuptimi i vlerës.

Agim Ademi, para pak muajsh tha: “Do të jetë shumë e vështirë që në të ardhmen të ketë një tjetër president Federate nga Shqipëria që të shkojë zëvendës president”. Për t’u mos harruar që në 2014 pasi ndodhi ajo “tragjedi” në Beograd, pasi karriget dhe dhuna vërshoi mbi lojtarët e Shqipërisë, në fund UEFA vendosi: “Serbi-Shqipëri 3-0”.
Dhe të vijmë nga ajo kohë në këtë aktualen, ndryshimi është i madh për përfaqësimin tonë. Ndërkohë pas disa ditësh në Federatën Shqiptare të Futbollit do të zhvillohen zgjedhjet dhe Armand Duka është kandidati i vetëm. Disa që e shohin situatën nga larg thonë: “Prapë?”.

Ajo që harrohet në këtë pikë është fakti se të jetë një kandidat i vetëm në Federatën e Futbollit dhe të jesh një kandidat i vetëm për zgjedhjet e politikës janë dy gjëra krejt të ndryshme. Zakonisht kur zgjedhjet bëhen në Federatën e Futbollit, njerëzit e interesuar për të marrë një vend të tillë, e dinë fuqinë e tyre përpara se të futen në garë.
Kjo shpjegon faktin se jo vetëm në Shqipëri, por në 32 shtete të Europës në dy vitet e fundit ka qenë vetëm një kandidat për President Federate të Futbollit. Nga Ukraina me Shevcenkon, te Bullgaria me Ivanov, te Malta me Vassalo, te Hollanda, Azerbajxhani, FInlanda, Belgjika, Greqia, Irlanda, Sllovenia, Moldavia, Maqedonia dhe shumë shtete të tjera me radhë kur kandidati, ka qenë vetëm një.

Dhe në rastin konkret, duke parë fuqinë e madhe të Armand Dukës jo vetëm për tregun shqiptar, por për faktin që tanimë është edhe zëvendës president i UEFA-s, ka edhe post të lartë në FIFA, për një konkurrent që të hidhet në këtë garë është e kot.
Por fakti se dikush tjetër ka më shumë rezultate se ty nuk është problemi i personit në fjalë, është i joti që nuk mund t’i afrohesh për momentin në garë. Pa hyrë në pjesën e sukseseve të arritura në këtë kohë, të cilat kanë vetëm një kulm, Kombëtaren.

Armand Duka ka arritur që një vend i cili nuk ushqehet dot me bukë, të ushqehet me futboll. Futbolli është parësor vërtet në Shqipëri, nëse e marrim në këtë këndvështrim. Nëse shikoni modelet rreth e rrotull nëpër Europë dhe botë, edhe ato vende ku popullsia është shumë e vogël që kanë pasur histori suksesi, janë vende të cilat kanë një zhvillim ekonomie dhe mirëqënie shumë të lartë.

Sepse gjërat vijnë zinxhir, kur një shtet ka një ekonomi të shëndetshme, atëherë edhe futbolli me artin shkojnë në nivelet më të larta, ndiqen më shumë nga njerëzit. Dhe çfarë mund të kërkosh nga njerëz që paguhen me 300 mijë lekë rrogë në muaj për të ndjekur teatrin apo për të ndjekur një ndeshje futbolli?
Dëshira është shumë e madhe tek ta, por përgjegjësitë dhe problemet e shumta në kokë që kanë nuk mund t’i sjellin dot në ato ambiente, është gjëja e fundit që mund të mendojnë. Dhe në një realitet të tillë, në këtë paradoks kaq të madh, Shqipëria është kthyer në një fuqi reale futbolli, me një stadium të stërmbushur për çdo ndeshje të Kombëtares dhe me një ekip që nuk po njeh limite duke na bërë që të ëndërrojmë.

Po ëndërrojmë aq shumë sa edhe bota na përmbyset kur Shqipëria nuk merr dot rezultatin që ne duam, pasi praktikisht është i vetmi rast kur ne largojmë mendjen nga hallet tona të përditshmërisë. Dhe gjithçka e ardhur në bazë të menaxhimit të financave që vjen direkt nga aftësia e tij, pasi shteti shqiptar jep shumë para për KOKSH, për sportet e ndryshme që nuk sjellin asgjë për Shqipërinë dhe jep zero para për futbollin.

Ky është rasti tipik i një fëmijë që ngre një kështjellë pa pasur asnjë të mirë materiale të siguruar nga ana e prindërve, që gjithsesi, e duan apo jo, mirë apo keq, duhet të kujdesen edhe për të. Shteti e ka lënë prej vitesh në harresë futbollin, futbolli nga ana tjetër, prej kohësh po shpëton imazhin e shtetit. Armand Duka, i vetmi në shtëpinë e…suksesit! /Sport Ekspres/