Ngolo Kante u kthye në një nga personazhet më të dashur gjatë Kupës së Botës. Mesfushori francez ishte një nga lojtarët që kontribuoi jo pak në arritjen e fitimit të trofeut, por më shumë tërhoqi vëmendjen për karakterin e tij të ndrojtur dhe jo shumë popullor. Lojtari i Çelsit mori aq shumë famë sa në stadium nisën t’i këndonin këngë të dedikuara, për të për të treguar se sa djalë i mirë dhe i sjellshëm ishte.
Gjithsesi, Benxhamin Mendi u shpreh se Kante ishte një mashtrues. Në fakt i referohet vetëm një loje me letra, ku Kante e kishte mundur, dhe shoku i tij e kishte akuzuar se kishte bërë me hile. Mendi i modifikoi disa nga fjalët e këngës së dedikuar Kantes, sigurisht gjithnjë në kuadrin e humorit, por të cilat po ashtu u bënë të famshme. 27-vjeçari ka dhënë një intervistë së fundmi, ku nuk ka lënë jashtë vëmendjes dhe këtë historinë e mashtrimit, ku sigurisht në kuadrin e humorit e ka përgënjeshtruar “akuzën” e bërë.
“Jam i rrethuar nga njerëz që ndjejnë simpati dhe më komplimentojnë. Kjo gjë më bën të ndihem mirë. Kjo mund të jetë dhe për shkak të sjelljes time dhe personaliteti që kam. E vlerësoj shumë këtë dashuri që më dhurohet. Benxhamin Mendi ka ndryshuar pak tekstin e këngës, duke i shtuar nota humori. Unë nuk jam mashtrues vërtetë, por them se ja kemi kaluar mirë”.