I turpshëm para mediave dhe “i pacipë” në fushë, ja pse Mario Mitaj është perfeksioni i Shqipërisë

Nuk është njeriu i lindur për kamera, nuk është njeriu që preferon të dalë para mikrofonit dhe të tregojë sesa ia doli përmes vështirësive, pavarësisht se Mitaj ka kaluar shumë deri tani. Familja e tij ka përjetuar peripecitë e vërteta në luftën për t’u larguar nga ky vend aq sa babai i Mitaj u plagos në Fier dhe i afërmi i tij shkoi në gjendje kritike për jetën, teksa po përpiqeshin të iknin drejt Greqisë.

Por kështu është Mario, tipi tjetër. Ne shqiptarëve na pëlqen dramat dhe jo më kot na servireshin telenovelat me të njëjtin zhvillim, tepër dramatik dhe ku lotët duhej të derdheshin për aktorin kryesor dhe në fund…”Happy End”.

Ky nuk është rasti i Mitajt, sikur rrugën t’ia kishin shtruar me tapet të kuq, të jep idenë në pamjen e parë të një personi moskokëçarës, që jeton sikur të ishte dita e fundit dhe pa menduar gjatë se ku do të shkojë.

Në media nuk del thuajse kurrë, e ka të pamundur t’ia rris vlerat vetes me fjalë. Merr këpucët, i vesh, përvesh mëngët dhe kështu kthehet në yllin e madh. Me topin në zotërim, pa pasur asnjë frikë në vete për një gabim që mund të kushtojë shumë, Mitaj fillon të vallëzojë dhe të emocionojë të gjithë tifozët në shkallët e stadiumit, shpeshherë vendosin duart në kokë për shkakun e tij: “Si mundi?”.

Pikërisht për këtë arsye, ky djalosh është perfeksioni i Shqipërisë. Ne jemi mësuar zakonisht me fjalë, një vend që është rritur në mënyrë të tillë, nga njerëz me kollare që kanë vetëm fjalë dhe asgjë më shumë se kaq. Por Mitaj, kur rasti i bie që të vesh kostum zyrtar, duket qartazi që kollarja i rri ngushtë. Kërkon vetëm fanellën e Shqipërisë që e kthen një dem të tërbuar dhe topin në fushë, gjithë pjesa tjetër është vetëm për t’u shijuar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *