Kristiano Ronaldo e ka humbur thuajse garën me Ciro Imobilen sa i përket golave të shënuara në Serinë A. Sulmuesi i Lacios numëron 4 realizime më tepër sesa futbollisti i bardhezinjëve, duke pasur sigurinë e mjaftueshme për të festuar triumfin në duelin personal ndaj yllit portugez. Megjithatë duartrokitjet janë edhe për këtë të fundit. Juventusi i Sarrit është një “makineri” që nuk funksionon ashtu siç duhet. Këtë e kanë treguar edhe në përballjen e sotme teksa u mposhtën në shifrat 2-0 ndaj Cagliarit.
Bardhezinjtë vuajnë si rrallëherë për të sulmuar kundërshtarin, nuk kanë saktësinë e duhur në pasimet finale dhe nuk shërbejnë sulmuesit. Pavarësisht të gjithë këtyre faktorëve, Ronaldo arriti që të shënonte 31 gola me Juventusin. Një shifër kjo e admirueshme dhe sot ndaj Cagliarit u pa qartësisht në fytyrën e dëshpëruar të portugezit se nuk mund ta përtyp dot humbjen e një gare, për të treguar gjithë egon e madhe që e ka bërë të shkojë deri në këtë pikë. /Sport Ekspres/