Dinamo ka arritur sot objektivin e saj, teksa ka siguruar ngjitjen në “Abissnet Superiore“. Në një lidhje përmes “Skype“-t, Eni Imami ka treguar për emisionin “Ora Sport“ në “Ora TV“ ndjesitë e para për këtë sukses. Futbollisti i Dinamos tregon edhe bisedën që pati me presidentin e klubit. Imami u shpreh se objektivi i parë që i kishte premtuar presidentit u përmbush, ndërsa tashmë mbetet objektivi i radhës, ai i mbërritjes në kupat e Europës. Por nuk ka munguar as batuta nga prezantuesi i emisionit, Altin Sulçe, që i kujton lojtarit sezonin e vjetshëm, kur Dinamo pretendonte të shpallej kampione, por që në fund të sezonit ra nga kategoria.
“Jemi shumë të gëzuar, sepse ka qenë një vit vërtetë shumë i vështirë. Kjo kategori na surprizoi disi, ne të paktën që kishim disa vite që nuk e provonim. Vinim nga Superiorja dhe këtë kategori e mendonim ndryshe. E mendonim disi më të lehtë, por na ka surprizuar me ekipe si Skënderbeu, Korabi Flamurtari.
Unë sot pas ndeshjes kam takuar presidentin, pasi na ftoi për një darkë te prona e vetë, dhe i thashë: ‘Këtë vit ta mbajta premtimin që do të ngjisja në Superiore, vitin tjetër ne do të jemi në Europë‘“, ka thënë Eni Imami.
Ndërkohë, Altin Sulçe i ka kujtuar premtimet e pambajtura të sezonit të shkuar. “Vitin tjetër në Europë? Kështu thatë edhe vjet, Dinamo kampion…“, ka qenë batuta e gazetarit të njohur./Halit Delibashi-Sport Ekspres/