“I respektojmë të gjithë, por skema me tre nuk i përshtatej Shqipërisë”, Odise Roshi: Me Çekinë jemi në një nivel

Odise Roshi ka dhënë një intervistë për emisionin “Analizë Kuq e Zi” në “Supersport”, të cilën e ka nisur me mënyrën se si është përjetuar tërmeti shkatërrimtar i cili goditi së fundmi Turqinë dhe Sirinë. Futbollisti fierak, i cili luan në kampionatin turk, është shprehur se në seancën stërvitore të zhvilluar ditën e djeshme, askush prej lojtarëve nuk kishte dëshirën të vraponte pas asaj ngjarjeje mjaft të rëndë.

“Kjo që i ka ndodhur Turqisë është një traumë për të gjithë, pasi ka prekur 3-4 qytete dhe ka qenë shumë i fuqishëm si tërmet. Ka shumë viktima e shkatërrim, ndaj jemi tronditur të gjithë. Sot (dje) kemi bërë një stërvitje shumë të lehtë, pasi asnjë në ekip nuk kishte dëshirë të vraponte”, ka thënë fillimisht Odise Roshi.

Më pas, tema është kthyer te Kombëtarja shqiptare. 31-vjeçari është pyetur për skemën me të cilën do të luajë trajneri Sylvinho, si dhe për shanset që ky grup ka për të shkuar përpara. Roshi duket besimplotë se nëse trajneri brazilian do të arrijë t’i marrë maksimumin lojtarëve, atëherë kuqezinjtë mund të shkojnë larg.

“Ne i respektojmë të gjithë trajnerët, por skema me tre nuk ishte e përshtatshme për Shqipërinë, pasi shumica e lojtarëve luajnë me katër në klubet ku janë. Unë kam luajtur për herë të parë me Rejën, në mbrojtjen me tre. Sylvinho luan me 4 në mbrojtje dhe besoj se ky rreshtim do të na përshtatet më mirë. Trajneri po komunikon me të gjithë lojtarët për t’i njohur dhe për t’u marrë më të mirën, ndaj besoj se kemi shanset e duhura për të shkuar në Europian. Besoj se do t’ia dalim.

Kemi një ekip shumë të mirë, ndonëse kemi disa emra të dëmtuar si Broja, Bare e Gjasula. Gjithsesi duhet ta nisim mbarë, si në 2014-ën, dhe të besojmë, pasi mund t’ia dalim. Duhet ta nisim mirë me Poloninë, pasi me Çekinë besoj se jemi në të njëjtin nivel.

Unë kam ndjekur shumë Kombëtaren, edhe ndër vite, ndaj besoj se ky grup ka cilësinë më të mirë, por duhet që lojtarëve t’u merret maksimumi. Nëse trajneri Sylvinho do të arrijë t’u marrë maksimumin futbollistëve të këtij grupi, atëherë do të ecim shumë”, ka deklaruar Odise Roshi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online