“I paprekshmi” Juliano dhe frika e klubit për të pranuar dështimin!

0

Agostinelin e hoqën sepse doli “vetëm” nënkampion, ndërsa faji i Sormanit ishte sepse humbi në Kukës dhe skuadra e lojtarët, që i sollën para arkave të klubit, duke kaluar turin e dytë në Champions, nuk e ndiqte më…

Anton Cicani

Nëse do të quhej Marko Aurelio (si perandori, filozofi dhe shkrimtari i famshëm roman), ndoshta mund të ishte i paprekshëm, në çdo sens. Por, quhet Mark Juliano dhe është trajneri i Partizanit, që nëse do të krahasohej me një skuadër italiane, do të ishte në nivelet e Interit, Milanit dhe Juventusit… Dhe, nëse në këto tre skuadra, tashmë do të ishte dërguar në shtëpi me kohë (tre humbje e gjysmë, pasi barazimi me Lushnjën konsiderohet si i tillë), në Shqipëri dhe te stoli i kuq, vazhdon të drejtojë dhe të justifikohet pas çdo rezultati negativ përpara medieve.

E ndërsa paraardhësit dhe bashkëkombësit e tij italianë u larguan për shumë më pak se sa kaq, ai vazhdon të jetë aty, me një imunitet – me pak humor këtu – të afërt me atë të politikanëve shqiptarë sa herë përfshihen në një skandal (i fundit, rasti i ish-ministrit Tahiri). Por, le të kthejmë shiritin e kasetës…

Andrea Agostineli u “kryqëzua” për një vend të dytë të arritur në kampionat, duke luftuar deri në 90 minutat e fundit për titullin kampion (e mori Skënderbeu, duke fituar në Vlorë, ndaj Flamurtarit, teksa të kuqtë e mbyllën me humbje në “Qemal Stafa” ndaj Teutës)… Andrea Sormani do të vinte pas Andrea Agostinelit dhe, madje, në Europë, duke përfituar dhe nga kualifikimi menjëherë në Champions League, turi i dytë, pas përjashtimit të Skënderbeut (luajti vetëm një ndeshje në Europa League, ndaj Slovan Bratislavës, e barazuar 0-0 në “Elbasan Arena”), arriti të kalonte hungarezët e Ferencvaroshit.

Mrekullitë e Alban Hoxhës në Budapest ishin deçizive, por edhe goli i Filit në Elbasan. Sakaq, turin e tretë të Champions, Salburgu ishte shumë më i fortë, ashtu si rusë e Krasnodarit në play-off të Europa League. Në kampionat, Sormani koleksinoi, në 5 javë që iu dhanë në dispozicion, dy fitore, dy barazime dhe një humbje, atë në Kukës, ku edhe erdhi shkarkimi. Praktikisht, vetëm 2 muaj për Sormanin dhe “faleminderit, por je i pushuar!”.

Nga dy italianë te një tjetër, Mark Juliano, ai që u përzgjodh nga Luçiano Moxhi, që ndodhej në tribunë duke ndjekur ndeshjen me Flamurtarin. Partizani i Julianos, përveç se në Europë u shpërfytyrua duke u eliminuar nga Botev Plovdiv (turi i parë i Europa League), në kampionat, ka humbur trenin e kreut: Skënderbeu është 11 pikë përpara, Kukësi 6 pikë, edhe pse barazoi me Vllazninë.

Partizani i Julianos ka marrë 5 pikë në 5 ndeshje brenda fushës (humbje me Laçin dhe Flamurtarin, duke mos shënuar asnjë gol, barazim 0-0 me Lushnjën dhe Kukësin, por edhe një fitore me Luftëtarin). Sigurisht, kohë për të rikuperuar ka mjaftueshëm, por tifozët janë lodhur me këtë melodi që përsëritet çdo sezon. Dhe, nëse sezonet e shkuara, vendin e Europës nuk ia merrte njeri, me ritmet që po ecën Flamurtari dhe Kukësi, gjithçka bëhet më e vështirë sivjet. Pa harruar që brenda fushës janë shënuar vetëm 2 gola në pesë ndeshje, një shifër vërtet e tmerrshme për një skuadër që është ndërtuar për titullin, ose të paktën kështu është “shitur” në deklarata.

Por, në të gjithë këtë “katrahurë”, klubi është ai që nuk reagon dhe nuk merr përgjegjësitë. Sidomos, këshilltari Moxhi, që me deklarata të mëdha do të thoshte se do të rikthente lavdinë te Partizani. Dhe, për të mos u kthyer në komedinë e Samuel Beketit “duke pritur Godonë” (ku personazhi kryesor qëndron i ulur në një stol duke pritur që të vijë një shenjë nga Zoti (God, ose Godot sipas autorit), ndoshta diçka duhet ndryshuar! Duke nisur, pse jo, nga trajneri. Kështu, edhe futbollistët mund tregojnë nëse vërtet vlejnë, ose edhe merkato është bërë e gabuar.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.