Humbja e dytë me radhë përballë një rivali direkt për titullin. Ndaj Partizanit erdhi disfata e dytë për Kukësin pas humbjes me Skënderbeun. Një goditje e rëndë për ambiciet e verilindorëve në këtë sezon, për një ecuri që e ka lënë të pakënaqur presidentin Safet Gjici.
“Nuk kishim as fat ndaj Partizanit, sidomos në pjesën e dytë të lojës. Nuk e di përse, por ishim si të lodhur. Nuk jam aspak i kënaqur me këtë lojë. Disa lojtarë janë dëmtuar dhe na kanë prishur shumë punë, kur të kthehen ata besoj se do ta marrim veten”.
Presidenti i Kukësit nuk preferoi të komentonte faktin nëse këto dy humbje e largojnë Kukësin nga gara për titullin: “Është shpejtë për të folur për rivalë, edhe sepse ende nuk ka mbaruar faza e parë e kampionatit. Natyrisht që nuk është mirë të humbasim me dy kundërshtarë të tillë, por është ende shpejt për të folur”.
Në fund, Gjici i dërgoi edhe një mesazh në distancë trajnerit Armando Cungu, duke pretenduar që trajneri të gjejë recetën për kalimin e situatës së vështirë dhe faktit që ekipi nuk po bind me lojë. “Skuadra është e kompletuar, nuk e di arsyen përse nuk lidhen. Lojtarët janë, por arsyet i di trajneri pastaj, përse nuk janë lidhur akoma, çfarë duhet dhe ku duhet”.