Talent dhe shumë punë, por edhe fati është përcaktues në karrierën e një sportisti. Fati është ai që i ka munguar Kristal Abazajt. Pas transferimit të bujshëm te Anderlehti, ylli kuqezi u përball me një seri dëmtimesh të njëpasnjëshme.
Problemet shëndetësore kanë shtyrë debutimin e sulmuesit të krahut në elitën e kampionatit belg. Gjithashtu, një tërheqje muskulore bëri që Abazaj të mbetej edhe jashtë ekipit në Europa League. Por, me gjendjen e lojtarit që është përmirësuar, më në fund mund të ketë ardhur edhe momenti i 22-vjeçarit.
Të enjten e ardhshme më 27 shtator, Anderlehti do të luajë në Kupën e Belgjikës përballë ekipit të kategorisë së dytë, Union Seint Zhiluaz. Aktivizimi në këtë ndeshje do të ishte mjaft pozitiv, jo vetëm sepse do të shënonte debutimin e Abazajt, por edhe sepse djaloshi me origjinë nga Tropoja do të ketë mundësinë të tregojë klasin e tij.