Teuta pritet të mos ndryshojë nga sfida me Vllazninë, ndërkohë që në kampin durrsak janë katër lojtarë dhe trajneri që kanë qenë pjesë e Flamurtarit
Euforia është “armiku” të cilit trajneri Gugash Magani i ka shpallur luftë prej kohësh dhe gjatë këtyre ditëve po përpiqet ta mbajë ekipin e tij me këmbë në tokë. Në fakt deklaratat në media nuk kanë qenë të pakta, por tashmë vëmendja është në fushën e blertë. Skuadra ka punuar dje prej orës 17:00, që është edhe orari i përballjes me Flamurtarin nesër. Trajneri peqinas po punon më së shumti me anën taktike të ndeshjes, ndërkohë që një vend të rëndësishëm zënë edhe goditjet standarde. Në këtë përballje do të ketë edhe disa “ish”-ë, të cilët kanë veshur të dyja fanellat.
Te Teuta janë më të shumtë, madje tre prej tyre janë vlonjatë të formuar në ekipet zinxhirë të Flamurtarit. Shpëtim Moçka është njëri prej tyre dhe nga kuqezinjtë ka disa vite që është larguar, ndërkohë që këtë verë iu bashkuan “Djemve të Detit” Ardit Shehaj dhe Arbër Beqaj. Sulmuesi dhe mbrojtësi i djathtë kanë qenë nën urdhrat e Maganit, një tjetër “ish” në Vlorë, edhe te skuadra e Flamurtarit.
Nijaz Lena është “qershia mbi tortë”, pasi në Shqipëri për herë të parë mesfushori e la ekipin e financuar nga Sinan Idrizi pikërisht për Teutën. Sot ai është kapiten te durrsakët, pas një viti pozitiv te Kukësi, ku u shpall për herë të parë kampion Shqipërie. Në kampin vlonjat këtë verë kaloi Emiljano Musta, që prej dy sezonesh kishte veshur fanellën e Teutës, ndërkohë që më parë në Durrës është aktivizuar edhe mbrojtësi i majtë Ergis Mersini.
PLANI – Gjatë këtyre dy javëve është kuptuar se Teuta këtë sezon do të ketë një formacion stabël, ndryshe nga vjet ku shpesh kishte ndryshime. Në javën e parë ishte Osemene dyshimi dhe në vend t ëtij luajti ganezi Latif Amadu, që në Shkodër hapi krahun dhe nigeriani ishte titullar. Asnjëri prej tyre nuk është zhbllokuar dhe do tentojë ta bëjë diçka të tillë ndaj Flamurtarit, ndërkohë që pritet që pjesa tjetër e formacionit të jetë e njëjtë si në dy ndeshjet e tjera, teksa gjithçka nis me Kastratin në mbrojtje të katërkëndëshit. Oluasina dhe Beqja do të jenë përgjegjës për krahët e prapavijës, ndërsa “murin” në qendër e ndërtojnë Sykaj-Hrkaç. Mesfusha është reparti më i populluar, me Dediç në ndihmë të sulmuesit Osemene. Dosti e Çyrbja luajnë nga krahët, ndërsa kapiteni Lena dhe Hila plotësojnë formacionin.