Ergys Kaçe nuk do të jetë më pjesë e Arisit të Selanikut. Klubi grek ka ndërprerë bashkëpunimin me mesfushorin 28-vjeçar, i cili tashmë duhet të sistemohet në një skuadër të re. Lojtari shqiptar mendon seriozisht që të lërë përfundimisht kampionatin helen, ndërsa nuk e përjashton si mundësi një kalim në Kategorinë Superiore.
I gjithë kryeqyteti është vënë pas Kaçes, teksa si Tirana, ashtu edhe Partizani me Dinamon kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. Sipas “Fansat e Futbollit Shqiptar”, bardheblutë kanë hyrë në negociata me mesfushorin shtatshkurtër, por problem është bërë paga.
Tirana është e gatshme të ofrojë deri në 150 mijë euro në sezon për Kaçen, ndërsa ky i fundit kërkon jo më pak se 200 mijë euro. Interes është shfaqur edhe nga Dinamo e Partizani, por rroga e lartë që kërkon lojtari shqiptar ka bërë që të mos hyjnë në negociata për të siguruar firmën e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/