Skënderbeu e ka nisur në mënyrën më të mirë kampionatin shqiptar. Në dy javët e para, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka marrë 6 pikë të plota. Fillimisht duke mundur Flamurtarin me rezultatin 1-0 në minutën e fundit, për të kaluar edhe te përmbysja ndaj Laçit.
Padyshim që askush nuk e priste këtë fillim të Skënderbeut, madje as vetë trajneri Ilir Daja. Ky i fundit është shprehur në konferencë përpara përballjes me Bylisin, se nuk i priste këto rezultate nisur nga koha e pakët që kishte në dizpozicion me skuadrën. Gjithashtu është diskutuar edhe për ndonjë afrim të mundshëm në orët e fundit të merkatos.
“Brenda një ndeshje janë të treja rezultatet. Me kohën që kemi pasur, nuk e kishim menduar se në dy javët e para do të merrnim pikët e plota. Por ajo që treguam në fushën e lojës kishte një emërues të përbashkët. Lojtarët besuan deri në fund, pasi edhe në takimin e parë shënuam në minutat e fundit, ndërsa në Laç e përmbysëm rezultatin.
Pra ekipi e ka mentalitetin e fituesit, ndërsa në kushte vështirësi shfaqet edhe më mirë. Gjëja më kryesore është ana psikologjike, pa harruar edhe pjesën e muskujve, pra të forcës që ndërlidhet me anën psikologjike.
Bylisin e njoh mirë pasi kanë dy vite së bashku, me pak ndryshime përgjatë kësaj kohe. Në dy javët e para ka bërë mirë në lojë, pavarësisht mungesës së rezultateve. Nëse duam fitoren ndaj tyre, duhet të harrojmë dy ndeshjet e para dhe të djersisim shumë.
Ekipi që fiton nuk ndryshohet, por në bazë të kundërshtarit që kemi në dizpozicion, mund të themi se pjesa më e madhe e lojtarëve do të jenë ata që kanë qenë në dy ndeshjet e para. Kemi marrë maksimumin për kohën dhe grupin që kishim në dizpozicion.
Prezent që nga dita e djeshme ka qënë edhe presidenti. Kemi komunikuar dhe biseduar deri në orët e vona të natës, që të kemi mundësinë të afrojmë edhe ndonjë element që do të na shërbente”, ka thënë Daja. /Sport Ekspres/