Shpëtim Duro është konsideruar “hero” në opinionin sportiv deri para ndeshjes së kthimit me Petrokubin. Duke parë mënyrën sesi janë paraqitur ekipet e tjera shqiptare, padyshim që Laçit iu shtuan më tepër pikët për mënyrën sesi e shfaqi veten në dy ndeshjet me Iskran dhe transfertën me Petrokubin.
Në një prononcim për “Sportiim.al”, Laska ka reaguar ashpër karshi Duros sa i përket ndeshjes që i nxori nga Europa. “Nuk e kuptoj se çfarë personaliteti kanë trajnerë të caktuar. Si është e mundur që Duro gabon dy herë me Laçin duke na hequr Kupë dhe larguar nga Europa në pak muaj. Thotë se skuadra u shpërfytyrua në 30 minutat e fundit. Posi? Kush e shpërfytyroi skuadrën në 30 minutat e fundit ndaj moldavëve? Mesa kuptoj nga taktika, ai lëvizi vetë modulet në këtë pjesë të lojës. Duke i nxjerrë nga detyrat lojtarët. Mos i thashë unë? Le të flasë…”, tha Laska.
Njëkohësisht është treguar edhe mesazhi i mbërritur në WhatsAppin e presidentit të klubit nga ish-trajneri Shpëtim Duro, një ditë pas ndeshjes: “Pashk të përshëndes. E di që je i mërzitur dhe ke të drejtë. Në këto situata përgjegjësi mban trajneri. Për vazhdimësinë vendos si ta mendosh. Sidoqoftë do të jemi miq”.
Laska ka vazhduar më tej në prononcimin e dhënë duke treguar: “Po ky mesazhi që më ka dërguar në WhatsApp një ditë pas ndeshjes çfarë thotë ?! Ma deshifroni ju se unë s’po kuptoj asgjë…. E kam shkarkuar që pas ndeshjes por nuk e zyrtarizova për ta lënë të binte vetë në ‘faj’. E bëri. Ai i ka bërë një dëm të madh klubit tim”, tha Laska. /Sport Ekspres/