Humbja 2-0 në Izrael e ka nxjerrë Shqipërinë praktikisht jashtë garës për Ligën e kombeve dhe ndjesia nuk është aspak e mirë. Kjo është ndjesia e Elseid Hysajt, që në intervistën pas ndeshjes për “SuperSport” e vendosi theksin te golat e pësuar.
“Jemi thuajse jashtë? Nuk besoj se është ndjesi e mirë, por duhet të marrim më të mirat që kemi bërë në këtë ndeshje. Patëm shumë raste për të shënuar, por nuk mundëm. Duhej më tepër kujdes në golin e parë, sepse me lojtarët që kemi nuk duhet ti pësojmë këto gola pa lidhje”.
“Çfarë na tha trajneri pas ndeshjes? Panuçi na uroi sepse luajtëm shumë mirë, por kishte të drejtë që nuk duhej ti pësonim këto gola”, tha mbrojtësi i Napolit, i cili tregoi se nuk mund ta kalonte lehtësisht mënyrën sesi u ndëshkuan kuqezinjtë.
“Çfarë ndryshoi nga një vit më parë kur fituam 3-0? Nuk ka ndryshuar shumë, sepse në fushë u sollëm njësoj. Patëm 5-6 raste për të shënuar, por nuk ia dolëm. Për golat që pësuam, e them përsëri se duhej ti evitonim, por kështu e ka futbolli”.