Elseid Hysaj do të jetë zëvendëskapiten i skuadrës, ndërkohë që në ndeshjen miqësore me Jordaninë ai nuk u aktivizua. Shkodrani i Napolit e shikon si të drejtë vendimin e trajnerit, pasi edhe të rinjtë duhet të luajnë dhe në ndeshje shikohen më mirë sa vlejnë.
“Ka edhe të drejtë profesori, kam pasur shumë ndeshje te Napoli. Bëri mirë, pasi lojtarët e rinj duhen parë në fushë. Më vjen keq për Mihajn, i cili u dëmtua. Lojtarët që ishin në fushë luajtën mirë. Shpresoj të ndihmojnë në ndeshjen me Izraelin. Do jap maksimumin dhe uroj të shënojmë, pasi na duhet fitorja”.
NDESHJA – “Duhet t’ia dalim se s’bën, që të jemi të qetë për kualifikimin. Jemi të përqendruar, si me Jordaninë. Patëm raste dhe goli ishte disa centimetra larg”, tha në konferencë Hysaj.
Më tej, i pyetur se çfarë ndryshimesh ka kjo kombëtare nga fitorja e fundit në Izrael, mbrojtësi u shpreh: “Vijmë nga një ndryshim, atëherë fituam 3-0, ndërkohë që kishim humbur me Luksemburgun. Ka pak ndryshime, jemi të njëjtët lojtarë dhe po stërvitemi mirë. Jemi gati për ta luajtur ndeshjen.
MODULI – “Jemi profesionistë, nuk është se na ndryshon pak taktika dhe duhet të luajmë keq. Jemi në kampionate të mëdha dhe duhet ta luajmë rolin. Nuk jemi si në klube, por duhet dhënë maksimumi që skema të vihet në jetë sa më mirë në fushë”.
“Cikalleshi dhe Sadiku? Janë lojtarë të mirë, por kemi edhe të rinj të tjerë. kemi Balajn dhe Manajn, që duhet të tregojnë veten. Çdokush që do luajë do japë 120% të tij në fushë, pasi na duhet të fitojmë’.