Redi Jupi ka bërë një analizë për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Lituanisë ku theksin e vendosi te modestia e kundërshtarit që na mundi në “Air Albania”. Për ta nisur që me momentin e golit atje ku Klaus Gjasula gabon fillimisht me topin e dërguar mbrapa, për të vazhduar me daljen e pastudiuar mirë të Strakoësh dhe hezitimin e Hysajt për ta larguar me këmbën e majtë, duke kërkuar ndërhyrjen me të djathtën. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, Jupi ka thënë se në këtë takim shpëton vetëm Mihaj me Manaj.
“Nuk më bëri përshtypja momenti kur pësuam golin, por sjellja e Kombëtares përgjatë 90 minutave. Ishte çdo gjë e gabuar në këtë ndeshje. Sa i përket golit, ishte pasimi i gabuar i Gjasulës që bën ndeshjen e parë të keqe të Kombëtares. Strakosha duhej të dilte, por jo aq shumë, për të mbërritur deri atje. Kundërshtari ynë ishte me portën bosh dhe prapë nuk do ta kishte bërë golin. Hysaj nëse do të kishte ndërhyrje me këmbën e majtë do të na kishte shpëtuar. E kuptoi keq kohën e topit pasi donte që ta hiqte me djathtën.
Pasimi i Gjasulës pastaj nuk të jep asnjë lloj kuptimi. Që ekipi kundërshtar ishte modest, nuk ka nevojë që ta them unë. Ne bëmë të luante mirë një ekip të dobët. U mbrojtëm keq, sulmuam keq, qarkulluam topin keq. Përveç Mihajt dhe Manajt, të gjithë të tjerët nuk luajtën mirë. Për mendimin tim trajneri duhej të largonte Hysajn pasi ishte nervoz gjatë gjithë kohës dhe po e rrezikonte kartonin e dytë të verdhë. Jo vetëm që nuk po bënte mirë, por po bënte keq. Si zgjedhje do të ishte më mirë që të mbahej Trashi në fushë dhe të largohej Hysaj. Sa i përket Laçit nuk mund të themi gjë, pasi në ndeshje të tilla do të fusësh, kur mund ta fusësh tjetër”, ka thënë Jupi. /Sport Ekspres/