“Do të bëjmë lajm botëror”! Kokëdhima: Nuk përfshihemi në Superiore gjithë sezonin, Qeveria vetëm mashtron

Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, ka bërë një reagim dhe sqarim sa i përket mbledhjes së fundit që ka bërë Liga Profesioniste e klubeve. Së fundmi u mbajt në Minsk, por kërkesat janë të njëjtat me mbledhjen e zhvilluar në Tiranë atje ku i kërkohet Qeverisë që të hedh edhe një vështrim mbi sportin me ligjin e sponsorizimeve, por që të jetë në interes të skuadrave dhe jo krejtësisht i transformuar siç është aktualisht, ku nuk i shërben askujt.

I ftuar në “Procesin Sportiv”, Kokëdhima është shprehur se Qeveria ka mashtruar gjatë gjithë kësaj kohe dhe e ka braktisur futbollin. Për këtë arsye nuk është vendosur që të bëhet bojkoti i Superiores nga të gjithë presidentët vetëm me një javë, por në gjithë sezonin nëse nuk do të ketë një reagim. Gjithashtu kreu i Apolonisë ka thënë se do të bëhet edhe lajm botëror nëse është e nevojshme, vetëm për të kuptuar braktisjen që shteti shqiptar i bën futbollit në vendin tonë.

“Së pari nuk është aspak e vërtet që mbledhjen e Ligës së Klubeve Profesioniste e ka iniciuar FSHF. Nuk na ka mbledhur Federata ne. Ne e kemi ftuar Federatën që të jetë prezentë, ashtu siç kemi bërë edhe me Qeverinë. Këto kërkesa ne nuk i hartuam në Minsk, por i kemi bërë në Tiranë që 5 javë më para dhe është bërë publik. Madje unë e kam shpjeguar para mediave atë vendim të marrë nga presidentët e Superiores. Në Minsk erdhi një takim i natyrshëm pasi ishin të gjithë presidentët atje, ku diskutuam këtë ecurinë. Qeveria është përgjegjëse për gjithë këtë situatë.

Futbolli është parë si një mundësi trafikimi, si një mundësi që bëjnë politikë edhe politikanët e mëdhenj, edhe politikanët e provincave. Ne kemi formuluar katër kërkesa elementare. E dëgjuat Kryeministrin në marsin e vitit të kaluar? Ka thënë që TVSH ta bëjmë 6%? Në të vërtetë edhe pse deklaroi se do ta bëjmë për 100 ditë, nuk e bënë kurrë. Nuk ka lidhje me pandeminë, ka lidhje me vullnetin, ka lidhje me faktin këta bëjnë vetëm mashtrime, vetëm gënjeshtra, asgjë reale. Ai e inicioi atë tavolinë për propagandë, tre muaj përpara zgjedhjeve. Unë i kam deklaruar edhe presidentëve të futbollit edhe të FSHF që atëherë që e organizuar tryezën se asnjë masë reale nuk do merret

Janë kërkesa elementare që vënë në sprovë vullnetin e një qeverie. Ne i kërkojmë qeverisë: 1. Ndryshime në ligjin për sponsorizimet, zbritje nga tatim fitimi. Ligji për sponsorizimin në çdo vend të kontinentin ka dy aspekte por unë po qëndroj vetëm të njëri aspekt: Sponsorizimi i klubeve dhe projekteve në futboll bëhet nga tatim fitimi. Hungaria e ka ligjin 80% e tatim fitimit. Nga tatim fitimi, ky buxhet është buxhet që mund të lëvrohet në tregun e futbollit që mund të përdoret për infrastrukturë, që mund të përdoret për fusha, që mund të përdoret për palestra, për projekte të tjera, për akademitë, për profesorët që marrin moshat.

Qeveria i ka braktisur përgjegjësitë e veta. Tani i thonë Redi Jupit, paguaj ti zotëri që të edukohen fëmijët e Tiranës, i thonë Alban Bushit, paguaj ti që të bësh edhe fushat, edhe ndriçimin, edhe impiantet, bëj gjithçka, vendos dhe trajnerë, bëji ti të gjitha se qeveria nuk ka lekë për ju. 700 mijë euro ka qeveria e Shqipërisë për sportet. Kanë braktisur çdo gjë. Kur bëhet fjalë për futboll, bëhet fjalë për edukimin e gjeneratave të tëra. Sidomos sa peshë ka tani edukimi kur sistemet e edukimit në Shqipëri janë shpartalluar të gjitha për këto politika. Për 1800 banorë, ka shumë vende në Europë që kanë një fushë futbolli, po sa fusha futbolli ka Shqipëria? Për 100.000 banorë, ka 1 fushë futbolli.

6 % TVSH thotë ai e kam bërë dhe për sektorë të tjerë që kanë rëndësi. Turizmi ose bujqësia. A do bëhet kampionati i Superiores? 5 klube të superiores janë të mbytura sot, nuk mund të bëjnë kampionat. Vetëm nën qeverisjen e këtij zotërisë, sepse ky thotë unë po mbyll sytë se nuk dua të shoh se çfarë jeni ju. Këto janë klube që nuk paguajnë taksa, detyrime, tatime, sigurime e shtetit dhe do vijnë të konkurojnë me këto 5 klubet e tjera. Po me çfarë do konkurojnë këta? Çfarë konkurence është kjo? Çfarë gare, çfarë barazie loje është kjo? Nuk është. Dhe ne i themi që të falë gjobat dhe kamatvonesat, jo detyrimet tatimore, sepse këta të tjerët që kanë paguar nuk i ka bërë lopa. Këta kanë paguar dhe duhet të ndihen të respektuar. Dhe ne nuk themi që këta të tjerët të mos paguajnë, por t’i heqin gjobat dhe kamatvonesat dhe skedulohen borxhet dhe vëri me transparencë të plotë të paguajnë paratë një për një ose skualifikoji.

Ne nuk kemi vendosur që të shtyjmë fillimin e kampionatit një javë, por ne faktikisht kemi vendosur që nuk do të përfshihemi në kampionatin e superiores gjatë këtij sezoni. Nuk do ta fillojmë fare, kjo është një vuajtje e pafundme. Kjo është një histori mashtrimesh të pafundme. Kjo histori do të marrë fund një ditë. Palët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, të gjitha palët. Kemi vendosur që të dalim edhe në rrugë dhe do dalim t’i nxjerrim gjithë futbollistët me uniforma t’i bëjnë ndeshjet përpara kryeministrisë, do t’i bëjmë lajm botëror. Do t’i tregojmë tërë dynjasë të vërtetat e këtij pushteti që nuk dëgjon, që ndihet pronar, këta e kujtojnë buxhetin pronë të tyre personale. Shqipërinë e kanë pronë personale”, – u shpreh Kokëdhima. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online