Elseid Hysaj është një temë e nxehtë këtë verë, teksa emri tij ka nisur të lidhet me atë të shumë skuadrave ku mund të përfundojë sezonin e ardhshëm. Së fundmi një prej tyre ka qenë edhe Fiorentina, por këtë pistë e ka hedhur poshtë vetë menaxheri i shkodranit. Në një intervistë për “Radio Punto Nuovo“, Mario Xhufredi nënvijëzon se nuk ka pasur kontakte nga violët, ndërsa brenda një muaji do të zbulohet destinacioni i futbollistit shqiptar. Gjithashtu menaxheri italian flet edhe për Gatuzon, të cilit i jep meritat për Napolin e këtij sezoni. Madje e sugjeron për pankinën e Juventusit, që me këto rezultate duket se nuk do e mbajë gjatë Pirlon në stol.
“Unë nuk i konfirmoj zërat se Gatuzo dhe Hysaj duan të bashkohen me Fiorentinën në kampionatin e ardhshëm. Askush nuk më ka telefonuar nga Firence. Ne kemi negociata në proces, do t’i shohim brenda një muaji. Dhe pastaj, i thashë Gatuzos që ai duhet të qëndrojë në Napoli. Me këtë ekip, ai mund të luajë për Scudetto vitin e ardhshëm. Shpresoj që Gattuso të qëndrojë me Napolin, nëse skuadra shkon në Ligën e Kampionëve, shumë merita do të jenë të tijat. Një vit e gjysmë më parë ai mori të kaltrit në zonën e rënies dhe i udhëhoqi ata të fitojnë Kupën e Italisë dhe një hap larg kualifikimit për në Champions League.
Sipas mendimit tim, nëse Gattuso mbetet, me disa përforcime adekuate Napoli mund të luftojë për të fituar Scudetto. Nëse ai do të largohej, ne do të duhet të fillonim nga e para edhe një herë, duke humbur punën e shkëlqyeshme të bërë që nga Dhjetori 2019. Nëse do të isha në drejtimin e Juventusit, do të mendoja seriozisht për të marrë Gatuzon si trajner të ri, sepse ai e ka treguar te të dy Milan dhe Napoli të punonë në mënyrën më të mirë në situata me vështirësi ekstreme”, ka thënë Mario Xhufredi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/