Hysaj dhe ajo ofertë “last minute” që mund ta kishte veshur bardhezi!

 

Në merkaton e verës së shkuar, Juventusi ofroi 35 mln euro për shkodranin, por nga Napoli erdhi një refuzim i madh. Lojtari premtoi të qëndronte edhe një sezon

Elseid Hysaj rigjen Juventusin përballë, ashtu si në fazën e parë, edhe pse në verë, një ofertë e ardhur në ditët e fundit të merkatos, luhati jo pak shkodranin dhe Napolin. Pikërisht sipas burimeve të gazetarëve napoletanë, edhe pse kjo gjë kurrë nuk u bë zyrtare dhe nuk u tha me gojën plot se kishte ardhur një thirrje nga Torino.

Ishte koha kur Napoli po përgatitej për sezonin dhe, sigurisht, shitja e mbrojtësit shkodran te rivali për titull do të ishte një humbje e madhe, sidomos duke ditur se zëvendësi nuk do të gjendej dot aq lehtë. Juventusi kishte arritur të ofronte 35 milionë euro në atë moment, edhe pse klauzola e Hysajt ishte 50 milionë euro…

Natyrisht, Marota kërkonte një mbrojtës krahu të djathtë, edhe pse De Shiljo kishte mbërritur nga Milani. Vetë mbrojtësi shkodran, në një grumbullim me kombëtaren, do të pranonte te shokët e tij se ishte befasuar vërtet nga oferta e Juventusit dhe se nuk e priste. Pikërisht Juventusi, që sot do të ketë përballë dhe, kushedi, në të ardhmen mund të ketë skuadrën e tij, edhe pse vështirë që De Laurentis ta shesë pikërisht te bardhezinjtë, pas rastit “Higuain”.

E ardhmja – Por, e ardhmja e Elseid Hysajt, me shumë mundësi, nuk do të jetë më në “San Paolo”, sidomos nëse ëndrra titull nuk do të realizohet. Në fakt, mbrojtësi ka disa oferta, ashtu sikurse edhe Mertens, por sidomos Kulibali në mbrojtje dhe Zielinski në mesfushë, pa harruar Insinjen. De Laurentis do të shohë se çfarë do të ndodhë, duke ditur se në arkat e axurrëve duhet të ketë hyrje këtë verë, për të mbajtur bilancin pozitiv. Bajern Mynihu vazhdon ta monitorojë, edhe pse agjenti i tij e ka mendjen në Angli dhe te Premier League, ku ka marrë disa interesime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *