Humori i kualifikimit hapi rrugë, si Rexhinaldo kaloi te Kukësi

Rexhinaldo është zyrtarisht pjesë e skuadrës së Kukësit. Klubi verilindor ka njoftuar marrëveshjen me të për një vit dhe të hënën sulmuesi do të mbërrijë në kryeqytet për të nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu. Mozambikasi bëhet i dyti lojtar që kalon nga Laçi te Kukësi. 

Më parë ishte zyrtarizuar kalimi i qendërmbrojtësit Harallamb Qaqi. Këtij të fundit i kishte përfunduar kontrata me kurbinasit dhe nuk pati asnjë pengesë për të nënshkruar me Kukësin. Për Rexhinaldon situata ishte ndryshe, pasi kishte një klauzolë që nuk e lejonte të firmoste me asnjë skuadër.

Vjet me Laçin ai arriti të shënojë 18 gola, duke qenë shënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Pas finales së Kupës së Shqipërisë ai u largua dhe nuk u kthye te Laçi, edhe pse kishte kontratë me bardhezinjtë e financuar nga Pashk Laska.

Numri një i klubit të Laçit ia kishte bërë me dije sulmuesit që duhet të respektonte kontratën me kurbinasit, por Rexhinaldo nuk u kthye të luante në Kupat e Europës. Me Kukësin e kishte arritur akordin prej kohësh, por vetëm tani e ka marrë lejekalimin nga bardhezinjtë. Presidenti Laska, pas kalimit të turit të parë nga ekipi i tij, i ka hapur rrugë kalimit të Rexhinaldos te Kukësi. Nëse respektohej kontrata, të paktën edhe për dy javë sulmuesi nuk mund të firmoste me asnjë ekip.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *