Mats Humels ka kritikuar sjelljen e lojtarëve të rinj gjermanë dhe i është drejtuar Leroj Sanesë, duke i thënë se nuk mund të presë ende që të trajtohet njësoj si Tomas Myler e Mesut Ozil, pas lënies së habitshme jashtë Kombëtares gjermane.
Sane vjen nga sezoni më i mirë në karrierë, duke shënuar 10 gola e duke dhënë 15 asiste, që ndihmuan Mançester Sitin të fitonte titullin në Premier Ligë.
Forma e sulmuesit anësor ishte e tillë që i vlejti përfshirjen në listën e kandidatëve për çmimin ‘Futbollisti i ri më i mirë i Vitit’, por edhe në listën e kandidatëve për ‘Futbollisti i vitit’ zgjedhur nga vetë lojtarët.
Gjithsesi, kjo nuk mjaftoi që Joakim Lëv ta përfshijë në listën finale me 23 lojtarët që do të shkojnë në Rusi.
Natyrisht, një vendim i tillë ka ngjallur debate dhe Lëv është kritikuar jo pak, por Humels ka dalë në krah të trajnerit, duke kritikuar brezat e rinj në Gjermani.
“Leroj Sane nuk ka të njëjtin statut si Tomas Myler apo Mesut Ozil. Ndonjëherë duhet kohë që të arrish në kombëtare atë statut që ke arritur në nivel klubi.
“Mund të vihet re lehtë që djemtë e ardhur nga ekipet e të rinjve, edhe te Bajerni, janë krejt ndryshe nga të rinjtë e 10-12 viteve më parë. Ky është një brez i ri. Ata karakterizohen nga sjellje e ndryshme, si për shembull në rrjetet sociale.
“Unë isha gjithnjë më i riu në ekipin tim dhe më duhej të mbaja përgjegjësi të madhe, është normale. Tani sheh disa 18-vjeçarë që nuk e kuptojnë pse duhet ta bëjnë këtë gjë. Unë nuk flisja fare në dhomat e zhveshjes të Bajernit në javët e para, flisja vetëm me Stefan Furstner dhe Mikael Rensing, që i njihja nga ekipi i dytë. Më gjithë lojtarët e tjerë e shumta shkëmbeja një përshëndetje, por sot gjithçka është më e shpejtë dhe pas një jave në ekip lojtarët sillen sikur kanë 3 vite aty”.