“Humbëm 2 pikë në Shkodër, i marrim me Flamurtarin”

0

Trajneri Dalipi: Skuadra duhet të vazhdojë performancat e mira. Vendi i dytë është i arritshëm. Kam vështirësi për të zgjedhur formacionin e lojës. Çani më afër grupit, Abdurahimi po stërvitet mirë

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, foli para ndeshjes me Flamurtarin, e cila do të luhet ditën e hënë, prej orës 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Numri një i klubit është i bindur se skuadra e tij do të marrë 3 pikë në sfidën kundër vlonjatëve.  42-vjeçari ka besim te futbollistët e tij dhe i mëshon idesë se klubi po punon mirë.

– Luani përballë një skuadre që ju ka mundur dy herë në kampionat. Si e keni përgatitur sfidën e së hënës?

– Sigurisht, na pret një ndeshje mjaft e vështirë me Flamurtarin, duke marrë parasysh faktin se ka edhe një trajner shumë të mirë, i cili e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar. Ne vijmë nga një moment shumë i mirë, jo për nga rezultati që kërkonim në Shkodër, por ajo që më kënaq për vazhdimësinë është loja dhe ajo çka lojtarët prodhojnë në fushë. Për këto 10 ditë, që gjithsesi nuk është kohë e mjaftueshme, dua t’i përgëzoj lojtarët, të cilët kanë kuptuar gjithçka nga ajo çfarë kemi bërë së bashku në stërvitje. Për sa i përket Flamurtarit, do të thoja që ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment, edhe faktorin-fushë, pasi luajmë në Tiranë dhe tifozët do të jenë të shumtë. Duhet të bëjmë lojën tonë dhe të rikthehemi tek ajo që presim, fitoret.

– Sa mirë i bën skuadrës fakti që Flamurtari është pranë jush?

Është një ndeshje shumë e rëndësishme, por nuk mund të jetë përcaktuese për sezonin, pra për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. E përsëris se ajo që më kënaq është paraqitja e ekipit. Me lojën që prodhuam në Shkodër, nëse do të kishim marrë 3 pikët, padyshim do të na ndihmonin në realizimin e objektivit. Loja është treguesi më i mirë se çfarë është në gjendje të bëjë skuadra në ndeshjet në vijim. Uroj që dy pikët që lamë në Shkodër, të cilat i konsideroj të humbura për lojën që zhvilluam, t’i rikuperojmë në ndeshjet në vazhdim. Skuadra është përgatitur shumë mirë, mjafton që lojtarët të shprehen dhe të japin më të mirën e tyre, sidomos sulmi. Pres që lojtarët sulmues të bëjnë diçka më tepër ndaj Flamurtarit, duke marrë parasysh që edhe skuadra po funksionon shumë mirë.

– Çfarë ndryshon këtë herë te Partizani në krahasim me ndeshjet e tjera?

Situata ndryshon, pasi në ndeshjen e kthimit të Kupës ne luajtëm për gjithçka, sepse vinim pas një rezultati negativ në Vlorë. Kemi zhvilluar ndoshta një prej ndeshjeve tona më të mira. Por, unë nuk do t’i kthehem më të kaluarës. Mendoj se sfida e së hënës do të jetë shumë decizive për ne.

– A do ketë ndryshime në formacion?

Ne kemi në përbërje shumë elementë të mirë. Për këtë fakt, unë kam shumë vështirësi në zgjedhje. Duke patur shumë lojtarë të mirë në përbërje, duke shtuar edhe rikthimin e Çanit, teksa për pak ditë presim edhe rikthimin e Telushit, kjo gjë nga njëra anë mi vështirëson zgjedhjet. Megjithatë, kjo situatë më ndihmon, pasi kam në dispozicion shumë lojtarë, të cilët mund ta bëjnë mjaft mirë edhe titullarin, por edhe mund të presin kur të aktivizohen, në ato minuta që do t’iu kërkohen.

Shpresoni se sulmi do jetë i qetë, pasi nëse do kishin finalizuar në Shkodër do flisnim ndryshe?
– Patjetër që besoj se do jenë të qetë. Nëse skuadra punon mirë nuk ka se si shkon ndryshe. Ata që kanë luajtur futboll e dinë mirë këtë.
– A ndjeni vështirësi me kalendarin e ngjeshur dhe faktin se duhet të luani ngjeshjet ngjitura?
– Kalendari sa vjen e vështirësohet në ndeshjet në vazhdim. Ne jemi të dënuar për t’i fituar ndeshjet dhe për të realizuar objektivin tonë. Duhet të mendojmë dhe t’i përgatisim ndeshjet një e nga një, të marrim maksiumimin e pikëve dhe në fund të arrijmë pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
Mundët Hasan Likën, tani e ka radhën Shpëtim Duro. Si e shikoni këtë përballje?
– Sigurisht, me Duron kemi punuar dhe kaluar një periudhë të mrekullueshme së bashku. Dua t’i bëj komplimentet e mia, pasi është një trajner që e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar, bën përzgjedhjet e duhura. Sigurisht, kam përfituar nga bashkëpunimi që kemi pasur bashkë. Por, në ndeshje do të jemi kundërshtarë, ndërsa jashtë fushës si gjithmonë do të mbetemi miq.
Jeni dy ekipet që jeni ankuar më shumë nga arbitrat. I druheni kësaj pjesë?
Nuk dua ta prek këtë temë, pasi tashmë ka filluar një kapitull i ri. Klubi dhe ne si drejtues kërkojmë që lojtarët të fokusohen vetëm në lojë, të bëjnë atë që dinë më mirë. Nuk besoj se do të ndikojë arbitrimi, përkundrazi, mendoj se do të jetë një arbitrim pozitiv. Shpresoj që ndeshja të jetë spektakolare dhe fusha ta tregojë kush e meriton fitoren.
Kë shihni si rivalin më të ashpër për Europa League?
– Nuk besoj se do shikoj dikë si rival. T’i marrim ndeshjet një nga një. Vllaznia bëri gjithçka dhe mori një pikë, edhe pse luan për mbijetesë. të gjitha ndeshjet janë të vështira.
E mendoni vendin e dytë nëse fitoni me Flamurtarin?
– Patjetër. Ecim me mendime pozitive dhe deri në fund do luftojmë për të arritur objektivin tonë. E ardhmja? kam besimin e të gjithëve, do ishte një hap i madh për mua nëse më besohet të vazhdoj në krye të ekipit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.