Në Gjermani risia e madhe këtë vit ka qenë rënia e Hamburgut në Bundesligën 2. “Dinosauri” nuk kishte zbritur kurrë nga Bundesliga, ndërsa tani mund t’ia marrë vendin një klub që ishte harruar prej dekadash në nivele të larta. Bëhet fjalë për Holshtajn Kilin, tjetër klub nga veriu i Gjermanisë, themeluar në vitin 1900 dhe dominues i veriut në vitet 1910-1930, duke fituar edhe kampionatin gjerman në vitin 1912.
Gjithsesi, bëhet fjalë për prehistori, sepse pas Luftës së Dytë Botërore Holshtajn Kil ka mbetur në errësirë dhe vetëm sezonet e fundit ka nisur të dalë në pah në një qytet që futbollin nuk e ka prioritet, sepse është THW Kil krenaria e qytetit, klubi i hendbollit më i mirë në Gjermani, që një herë e ka fituar kampionatin duke fituar çdo ndeshje.
Tani Holshtajn Kili mundohet të thyejë monopolin e hendbollit dhe qyteti në bregdetin balltik është duke përjetuar një ëndërr, sepse vetëm para një viti u ngjit në Bundesligën 2 dhe të enjten e të hënën do të luajë dy finalet play-off kundër Volfsburgut, për një vend në Bundesligë.
Shanse të vogla, natyrisht, sepse Volfsburgu është emër shumë më i madh, por Holshtajni do ta provojë. Trajneri Markus Anfang kërkon të largohet si hero, sepse që tani ka firmosur për Këlnin, duke u kthyer në vendlindje.
Po nëse Holshtajn Kili ngjitet? Një hall për Bundesligën, sepse stadiumi në Kil është më 10.000 vende, ndërsa në Bundesligë kufiri minimal është 15.000 vende. Hamburgu e Verderi kanë refuzuar ta hapin stadiumin për Holshtajn Kilin, por Hanovëri është treguar më mikpritës dhe marrëveshja duket pranë. 34 ndeshje në transfertë për Holshtajn Kilin nëse ngjitet, por ia vlen, pas kaq shumë dekadash pritjeje…