Nga Klaudio Ndreca
Merkato e verës ka përfunduar me disa lëvizje më të kufizuara nga ana e klubeve europiane që janë goditur nga pandemia në ekonominë e tyre, duke mos pasur mundësinë për të blerë shumë futbollistë. Megjithatë përpara mbërritjes në zyrtarizimin e një lojtari fshihet një punë e madhe në prapaskenë që ndonjëherë ka edhe histori që duken paksa të shfrenuara për fantazinë.
Për këtë arsye Di Marzio ka publikuar një libër të quajtur “Transferimet në hotelin e madh”, atje ku zbulon shumë detaje nga lëvizjet e ndodhura në merkato prej vitesh. Po përse duhej me doemos fjala hotel? Sepse restorantet dhe hotelet janë vendi kryesor ku ndodhin edhe bisedat që përmbyllin një transferim. Më poshtë kemi sjellë në vëmendje disa nga historitë më tërheqëse të këtij libri, ku nuk mund të mungonte dhe shakaja e veçantë me presidentin e Breshias teksa po transferohej sulmuesi shqiptar Igli Tare.
Historia e nënshkrimit të Tevez te Juventus, Di Marizo e mësoi nga një pjatalarës
Ishte 17 marsi i vitit 2013. Di Marzio i shkruan një mesazh drejtorit sportiv të Juventusit, Fabio Paratici: “Gatuajnë mirë te restoranti Babbo në Londër apo jo?”.
Paratici i kthehet menjëherë: “Po çfarë je duke folur? Cili restorant është ky? E çfarë janë këto marrëzi?”.
“I dashur Fabio, unë di gjithçka. Ju ishit atje natën e kaluar duke biseduar me Tevez dhe agjentin e tij. Ti, menaxheri i ekipit, ishte edhe Conte! Restoranti ishte i mbyllur posaçërisht për ju. Mos më tregoni histori të kota mua”
Paratici ndalon së shkruari për 20 sekonda. “Mos i tregoni askujt! Përfaqësuesit e Man City do të zemërohen! Dhe jam kurioz – nga e keni mësuar këtë? Shkruaj Agnelit dhe do ta jap unë email-in. Ndryshe do të mendojë sikur të kam treguar unë. Dreqin, si e ke marrë vesh?
Është e thjeshtë. Në këtë restorant, italiani Giuseppe Laudante punonte si pjatalarës. Vetëm shefi i kuzhinës u lejua të hynte dhe ai e ndau lajmin me Giuseppe: “Hej, ti italiani! A di se Juventusi po merr Tevez?” Laudante i shkroi një letër Di Marzio gjatë natës:” Unë jam admiruesi juaj i vjetër. Unë dua të jap një lajm me rëndësi”.
Përfaqësuesit e Zenit sollën dy kuti vodka për negociata me Sarrin
Takimi i parë i klubit të Zenit me Maurizio Sarri ishte menduar të zhvillohej në maj 2017, por pasi Alexander Dyukov u largua nga presidenca, planet ndryshuan. Sidoqoftë, një vit më vonë, Dyukov dhe Maxim Mitrofanov fluturuan për në Napoli. Përveç Sarrit, në takim morën pjesë sportisti i Napolit, Cristiano Giuntoli, dora e tij e djathtë Ilario Pompilio, ndërmjetësi Giulio Dini dhe agjenti i trajnerit Alessandro Pellegrini.
Rusët u dhanë italianëve dy kuti me vodka. Ata folën për historinë e Zenit, veçoritë e klubit, por Sarri ishte i shqetësuar për diçka tjetër. Ai mori një copë letër, filloi të vizatonte, duke përshkruar idetë e tij të futbollit. Një orë më vonë ai u ngrit, kërkoi falje dhe u largua: “Unë kam nevojë të përgatitem për ndeshjen”.
Zenit kishte pritur për një përgjigje për disa ditë me radhë, por klubi e kuptoi që Sarri nuk ishte në gjendje të kalonte në Rusi. Oferta e Zenit ishte më fitimprurëse financiarisht, por Maurizio zgjodhi Chelsea.
Transferimi i papritur i Mesbah te Milani, ndodhi në restorant dhe u shkrua mbi një letër
Në janar, Jamel Mesba, mbrojtësi i majtë për Lecce, papritur u transferua në Milano. Rezulton se Galliani po darkonte me agjentin e tij Alessandro Luci – atje ata ranë dakord në mënyrë të papritur për këtë transferim.
Galiani i tha Lucit se kishte nevojë për një rezervë në krahun e majtë të mbrojtjes dhe agjenti menjëherë u përgjigj: “Të rregulloj unë dikë që ta merrni falas”. Duke pirë verë dhe pa praninë e Mesbah u arrit edhe marrëveshja për pagesën, ndërsa Lui e nënshkroi në një copë letër që i kërkoi kamerierit.
Drejtori sportiv Aryedo Bride, të cilin Galliani e thirri menjëherë, nuk ishte i kënaqur me transferimin. Massimiliano Allegri gjithashtu priste një lojtar të një niveli tjetër. Por Galliani nuk mund të refuzonte më, një premtim me fjalë për të kishte forcën e një kontrate të nënshkruar. Gjatë atij viti Mesbah luajti për 14 ndeshje dhe shënoi 1 gol.
Roma nuk nënshkroi me një lojtar të Totenhemit se u shfaq Zoti në ëndërr, pritej konferenca
Në verën e vitit 2006, Roma ra dakord me Tottenham për transferimin e mbrojtësit të majtë të Koresë së Jugut, Lee Yong Phe. Agjenti i lojtarit Chin Sung Ëon arriti në Romë, darkoi me përfaqësuesit e Romës dhe mëngjesin tjetër lojtari duhej të mbërrinte për zyrtarizimin.
Dëshmitarët thonë se rreth orës gjashtë të mëngjesit, britma rrënqethëse u dëgjuan në parkingun e hotelit ku jetonte menaxheri. Pasi piu një gotë me ujë, menaxheri tregoi se çfarë i kishte ndodhur: “Zoti u shfaq në ëndërr dhe tha që të mos shkonte te Roma. Kjo është një katastrofë”. Konferenca për shtyp ndërkohë ishte caktuar dhe gazetarët e Koresë së Jugut mbërritën, por jo Lee Youn Pge. Kur drejtuesit e Romës mësuan arsyen menduan se ishte shaka, por lojtari qëndroi te Totenhemi.
Tare nënshkruan te Breshia, humori me presidentin: Ka një dorë druri!
“Gjithçka është në rregull, President. Ai është yni! “- Drejtori sportiv i Brescia Gianluca Nani telefonoi presidentin Gino Corioni nga Gjermania dhe tha se negociatat për transferimin e sulmuesit Igli Tare kishin përfunduar.
– Ne kemi nënshkruar të gjitha dokumentet, unë gjithashtu kam një certifikatë në dorë.
– Në dorë? Për çfarë? Për çfarë po flet?
– President… djali ka një dorë prej druri, por mos u shqetëso! Gjithçka është nën kontroll! Tare mund të luajë. Ai e heq përpara se të hyjë në fushë”
– Tmerr! Më paskan mashtruar! Anuloje transferimin. Nuk më duhet një lojtar me dorë prej druri. E çfarë do të mendojë trajneri ynë tani?
– Na vjen keq, president. Ai tashmë ka nënshkruar një kontratë.
Së shpejti, Tare fluturoi për një ekzaminim mjekësor. Para takimit të futbollistit me presidentin, Nani i tha: “Merre dorën dhe dërgoje pas shpinës, le të varet pak mënga e xhaketës”. Korioni përshëndeti Tarën, eci rreth tij, studioi për disa sekonda dhe qeshi: “Ata po talleshin me mua apo jo?”.