Ndeshjet e fundit janë zhvilluar në Maqedoninë e Veriut dhe këtë herë vëmendja ishte e madhe edhe nga tifozët shqiptarë. Kjo pasi po kërkohej arritja historike ku tre ekipet që do të shkojnë në Europë i përkisnin shqiptarëve deri në ndeshjen e parafundit, ndërsa Vardari(rivali i përjetshëm i Shkëndijës) ra nga kategoria dhe Shkëndija e Tetovës u shpall kampion.
Bileta e fundit po diskutohej mes Struga Trim Lum dhe Makedonija GP pasi Shkupi e siguroi Europën. Ekipi shqiptar ishte vetëm një pikë larg Makedonijas dhe përballej kundër Sileks në transfertë. Për t’ia vështirësuar edhe më tepër misionin skuadrës shqiptare mendoi arbitri duke e ndëshkuar me karton të kuq sulmuesin e Strugës, Atiparmakovski. Ky i fundit mori dy kartonë të verdhë dhe duhej ta braktiste skuadrën e tij për ta lënë me 10 lojtarë që në nisje të sfidës.
Nga ana tjetër askush nuk kishte dyshime se Vardari do t’i hapte krahun Makedonija GP pasi nuk po lufton për asnjë objektiv dhe dihet raporti i këtij ekipi me shqiptarët. Makedonija GP fitoi në shifrat 0-2 ndaj Vardarit, por fatmirësisht Struga ia doli edhe me 10 lojtarë që të fitonte 0-1 me golin e Jahja në të 67. Pas këtij triumfit shkojnë zyrtarisht tre ekipe shqiptare në Europë nga tre të mundshmet që dërgohen nga Maqedoninë e Veriut.
Një arritje historike kjo për Strugën që u themelua vetëm gjashtë vite më parë, me projektin që nisi nga kompani serioze Trim Lum. Rritja e kësaj skuadre ka qenë mbreslënëse teksa u shpall kampion 2 vite me radhë (ligën e 4-të dhe ligën e 3-të), në vitin e 3-të perfunduan në vendin e 5-të në ligën e dytë, që sezonin e ardhshëm 2018/2019 të shpalleshin kampion dhe të festohej për hyrjen në Ligën e Parë. Ndërkohë pas vetëm dy sezonesh në elitë është shkruajtur edhe historia me hyrjen në Europë. /Sport Ekspres/