Historia e çuditshme/ “Më tradhëtoi menaxheri dhe ngela te Bylisi”, Vesel Limaj tregon si erdhi në Shqipëri: Më tha sa për stërvitje

Nga Klaudio Ndreca

Vesel Limaj ka treguar një histori të veçantë për mënyrën sesi ka mbërritur në Shqipëri. Nga ekipet gjermane, për të vazhduar me Horn në Austri dhe për të mbërritur te Bylisi, atje ku vazhdoi edhe aventura e mesfushorit në vendin tonë. Por si mbërriti deri këtu? Limaj ka rrëfyer për “Fan Zone” sesi është tradhëtuar nga menaxheri i tij, që i ka thënë se do të shkonte në Ballsh vetëm për t’u stërvitur dhe më pas do të kalonte në Jordani.

“Si erdha në Shqipëri? Po është një histori shumë e gjatë. Unë e kam nisur karrierën time te Berlini dhe aty e kuptova se kisha të ardhme në futboll. Pastaj kam kaluar te Kotbusi dhe përfundova te Hamburgu. Aty nuk kisha shumë minuta dhe hapësira, për këtë arsye duhej të mbërrija te Horni në Austri.

Ishte një kalim shumë i rrezikshëm, sepse skuadra ishte në vendin e parafundit kur shkova unë atje dhe më pas ramë nga kategoria. Në atë moment menaxheri më tha se kemi një ofertë nga Jordania. Por në fillim duhej që të stërvitesha në Ballsh. Më tradhëtoi dhe unë ngela aty, megjithatë nuk jam penduar. Dua të shkoj në një kampionat më të fortë tani. Shqipëria apo Kosova? Nuk ka rëndësi, ne jemi një, dua të luaj për një Kombëtare”, tha Limaj. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *