Stefan Nikoliç është surpriza e Partizanit në merkato, sepse sulmuesi malazez është prezantuar pa asnjë paralajmërim ditën e sotme. 28-vjeçari nuk ka luajtur kurrë në Superiore, por ka qenë më parë në Shqipëri, duke qëndruar vetëm për pak orë në Vlorë.
Historia e tij është vërtet e çuditshme dhe ndoshta te Partizani kanë vendosur një bast të rrezikshëm,por me siguri do e kenë ditur të shkuarën e malazezit.
Deri në vitin 2011 Nikoliç ishte një talent në shpërthim e sipër, aq sa u bë edhe titullar te Mali i Zi, por më pas erdhi hapi i madh me transferimin te Steaua dhe aty erdhën edhe problemet.
Fillimisht sulmuesi i fotografua i pirë nëpër rrugët e Bukureshtit, duke shijuar jetën e natës, ndërsa disa muaj më vonë u filmua duke pirë e më pas duke ngarë makinën në mënyrë të çmendur, duke kaluar me semafor të kuq e duke vënë në rrezik jetë njerëzish.
Në fund të vitit 2013 Steaua e largoi dhe që aty karriera e Nikoliçit mori të tatëpjetën, duke shkuar në Kore për pak muaj, e duke luajtur më pas në Bullgari, Kroaci, Poloni, Serbi, Kazakistan dhe Rumani e Serbi sezonin e shkuar.
Prej janarit 2016 Nikoliç ka luajtur në 5 ekipe dhe ka shënuar vetëm 5 gola në 47 ndeshje kampionati në total. A do t’ia dalë mbanë në Shqipëri, aq më shumë te Partizani, ambient me presion goxha të madh nga mediat e tifozët? Të shohim.
Një kuriozitet: në janar Nikoliç firmosi te Napredaku në Serbi, njëkohësisht me një sulmues që dështoi te Partizani: Milan Basrak. Ky i fundit luajti vetëm 156 minuta, ndërsa Nikoliç luajti 7 ndeshje, me 481 minuta në Superligën serbe dhe një gol, i pari prej një viti!